Blerim Latifi, këshilltari i Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli pasi nuk ka arritur të sigurojë votat për t’u futur në Kuvendin e Kosovës ka kritikuar partinë e udhëhequr nga Kadri Veseli se ka blerë vota në Drenicë.
Latifi i cili përmes Facebook-ut ka shkruar se PDK-ja nuk ka humbur nga Vetëvendosja e as nga LDK-ja por nga vet PDK-ja.
Ai ka thënë tutje se votat në Drenicë, rajon prej nga vjen Latifi janë blerë me nga 5 e 10 euro.
“Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera”, ka shkruar Latifi.
Latifi ka shkruar se idetë e mira humbin betejën ndaj premtimeve të rreme për të punësuar njerëz.
“Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar Latifi.