“Të gjithë shpresojnë për një lloj konspiracioni në krye – që një nga bashkëpunëtorët ose oligarkët e ngushtë të Vladimir Putinit ta vrasë atë,” thotë blogeri i njohur rus dhe kritiku i vjetër i Kremlinit, Dmitry Chernyshev. “Por kjo nuk më duket se do të jetë zgjidhja,” shton ai.
Në vend të kësaj, Dmitry Chernyshev, një shkrimtar dhe profesor 55-vjeçar, po u bën thirrje rusëve t’i bashkohen një lëvizjeje të Rezistencës Kombëtare që ai po krijon dhe po inkurajon një mosbindje të gjerë civile që shkon përtej protestave në rrugë. Ai thotë se do të nevojitet rezistencë e armatosur dhe sabotim për të përmbysur udhëheqësin rus.
Kjo e dallon atë nga kritikët e tjerë të Kremlinit dhe figurat e opozitës teksa përpiqen të hartojnë një rrugë përpara për të vazhduar të sfidojnë Putinin.
Këtë javë një grup aktivistësh veteranë rusë për të drejtat e njeriut dhe aktivistë politikë ranë dakord të ngrinin një këshill kundër luftës dhe të përqëndronin përpjekjet e tyre në kundërshtimin e sulmit ndaj Ukrainës. Ata po përgatisin një letër të hapur që i bën thirrje Rusisë t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës, në të cilën ata do të deklarojnë se është “detyra jonë e përbashkët” që të “ndalojmë luftën dhe të mbrojmë jetën, të drejtat dhe liritë e të gjithë njerëzve, si të ukrainasve dhe rusëve”.
Manifesti që do të publikohet së shpejti do të nënshkruhet nga dhjetra personalitete të opozitës, duke përfshirë Lev Ponomaryovin, Oleg Orlovin dhe Svetlana Gannushkinan. Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse, i cili u dënua me nëntë vjet burg shtesë në fillim të kësaj jave, u ka bërë gjithashtu thirrje rusëve të marrin pjesë në protestat kundër luftës.
Por duke folur për Zërin e Amerikës, Dmitry Chernyshev, i cili u largua në Izrael pasi familja e tij u kërcënua nga autoritetet dhe po përpiqet të krijojë nga Tel Avivi një lëvizje për të rrëzuar liderin rus, thotë se nevojitet të bëhet më shumë dhe se strategjia e tij është më e gjerë. Ai thotë se nuk do ta ndihmonte situatën në Rusi, nëse ka “thjesht një transferim të pushtetit nga një dorë në tjetrën”.
Rusia do të jetë po aq e keqe nëse Putini zëvendësohet nga dikush si Viktor Zolotov, kreu i Gardës Kombëtare të Rusisë, ose Sergei Shoigu, ministri i Mbrojtjes, thotë ai. “Më duket se forcat e sigurisë kanë kryer aq shumë krime sa nuk do të heqin dorë nga pushteti me mjete paqësore,” paralajmëron ai.
Eksodi i opozitës
Disidentët dhe aktivistët e të drejtave në Rusi thonë se tani po jetojnë periudhën më të errët që kanë hasur që nga fundi i komunizmit. Dhjetëra mijëra rusë janë larguar nga vendi që nga sulmi i Ukrainës më 24 shkurt, nga frika se nëse nuk do ta bënin këtë, do të përfundonin në burg.
Largimi i tyre do të dobësojë më tej opozitën ndaj Putinit dhe do ta bëjë revoltën masive edhe më të pamundur, thonë disa aktivistë dhe është krahasuar nga disa të tjerë me ikjen e Ushtrisë së Bardhë nga Krimea në nëntor 1920, kur rreth 165,000 njerëz u larguan nga Rusia në tre ditë. Vlerësimet për eksodin aktual shkojnë deri në 200,000 njerëz.
Ushtria e Bardhë dhe mbështetësit e saj u larguan për shkak të disfatës nga bolshevikët në fushën e betejës dhe ndërkohë që nuk ka pasur asnjë përplasje me armë në Rusi tani, ekziston gjithashtu një ndjenjë e përhapur e humbjes. Sipas Ben Noble, një profesor i politikës ruse në University College London “opozita është shtypur, ndjekur në mërgim ose në fshehtësi”.
Janë shtrënguar masat mbi aktivistët kundër luftës dhe kritikët e Kremlinit, të cilët po përballen me shtypje në rritje, duke përfshirë rrahjet e policisë, frikësimin, shkarkimin nga puna dhe kërcënime të tjera. Rreth 150 gazetarë janë larguar nga Rusia, dhe një nga mediat e fundit e pavarur me ndikim në vend, Novaya Gazeta, njoftoi këtë javë se do të ndërpresë veprimtarinë deri në fund të luftës në Ukrainë, pasi mori një paralajmërim të dytë nga censura shtetërore.
Aktivistët politikë presin që kërkimi i armiqve të brendshëm që mund të fajësohen për rënien e vendit në vështirësi ekonomike të shkaktuara nga sanksionet vetëm sa do ta përkeqësojë situatën për ta. Zoti Putin ka bërë thirrje që vendi të pastrohet nga tradhtarët.
Nxitja e kryengritjes
Në këto rrethana zoti Chernyshev thotë se ka pak mundësi veç nxitjes së një kryengritje. Në një postim të fundit në Facebook, ai publikoi një manifest për rezistencën kombëtare, në të cilin bëri thirrje për rebelim. “Lëvizja e Rezistencës po shpall përgatitjet për të përmbysur regjimin kriminal të Putinit”, thuhet në manifest.
“Ne do të përdorim të gjitha metodat, përfshirë të drejtën e njerëzve për kryengritje. Është e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve që të mbrojnë të drejtat dhe lirinë e tyre nga uzurpatorët me çdo mjet, përfshirë luftën e armatosur. Ne kemi shteruar të gjitha mjetet paqësore: organizuam mitingje – ato u shpërndanë. Hartuam raporte të sinqerta mediatike – ato u ndaluan. Udhëhoqëm një luftë të hapur politike – opozitarët u vranë, u burgosën, u internuan nga vendi dhe u përpoqën t’i helmonin”, vazhdon manifesti.
Një nga modelet shembull për zotin Chernyshev është Charles de Gaulle, udhëheqësi francez i kohës së luftës. “Jam shumë i frymëzuar nga shembulli i De Golit, i cili nuk kishte asgjë, as ushtri, as ushtarë. Ai u bëri thirrje francezëve të rezistojnë”, thotë zoti Chernyshev. “Kur Franca u mund nga Gjermania në vitin 1940, de Gaulle komandonte një ushtri që nuk ekzistonte. Por gradualisht kjo ushtri u shfaq kur dukej se gjithçka kishte përfunduar. Gradualisht filloi të formohej një lëvizje rezistence”, shton ai.
Ai dëshiron të vendosë në objektiv gjyqtarët dhe zyrtarët e sigurisë që mbështesin sundimin e Presidentit Putin në një përpjekje për t’i demoralizuar dhe për t’i bërë ata të ndjehen të pambrojtur. “Është një gjë kur ata janë të sigurt se janë të fshehur dhe askush nuk di asgjë për ta, dhe krejt tjetër kur emrat dhe adresat e tyre bëhen publike”. Ai nuk jep detaje se çfarë shpreson të ndodhë me këta zyrtarë, por përmend “sabotazhin”.
Zoti Chernyshev ka qenë një kritik aktiv i Kremlinit për vite me rradhë. Ai ka pasur një sërë punësh që kur la ushtrinë ruse pasi shërbeu si rekrut. Ai ka punuar si roje sigurie, shofer dhe udhërrëfyes për gjuetarët përpara se të studionte dizajnin dhe artin grafik, duke u bërë përfundimisht drejtor kreativ për një agjenci reklamash. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, blogu i tij u bë një nga më të lexuarit në vend.
“Para zgjedhjeve të vitit 2014, unë deklarova një hakmarrje personale kundër Putinit”, thotë ai. Ai mori pjesë në tubimet pro-Navalnit dhe u ndalua një herë për 15 ditë. “Kur filloi sulmi në Ukrainë, unë shkrova postime të ashpra kundër luftës,” thotë ai. Ai u arrestua dhe u dërgua në Lubyanka, selia e agjencisë vendase të inteligjencës FSB, ku “më morën në pyetje për tre orë,” thotë ai.
“Ata donin të firmosja një dokument ku betohesha për besnikëri ndaj Putinit dhe marrëzi të tjera. Sigurisht, unë nuk e firmosa dokumentin, por për të pasur kohë për t’i nxjerrë fëmijët e mi nga Rusia, premtova të ndaloja aktivitetet e mia në internet. Unë kam katër fëmijë dhe kërcënimet ishin të rënda. Më premtuan se do të më dërgonin me një tren mallrash në Donetsk dhe do më lidhnin pas një shtylle si grabitës, që njerëzit të përballeshin me mua”, shpjegon ai. “Nëse nuk do të ishin kërcënimet ndaj fëmijëve të mi, do të kisha qëndruar në Rusi,” thotë ai. Ai shiti gjithçka që mundi dhe më 15 mars fluturoi me familjen e tij për në Izrael.
Aktivistë të tjerë politikë besojnë se rrethanat nuk janë të përshtatshme për llojin e rezistencës kombëtare që zoti Chernyshev shpreson të nxisë. Ata thonë se Putini është përgatitur prej vitesh të mposhtë çdo “revolucion me ngjyra” që shfaqet. Të tjerë tregojnë për sondazhet që sugjerojnë se lideri rus ka mbështetje për agresionin e tij në Ukrainë.
Zoti Chernyshev i hedh poshtë kritikat. “Të gjithë ata që kanë bërë sondazhe e dinë që 9 nga 10 persona të intervistuar në rrugë refuzojnë të përgjigjen. Njerëzit marrin telefonata në telefonat e shtëpisë dhe pyeten nëse mbështesin aktivitetet e qeverisë. Njerëzit kanë frikë të përgjigjen me vërtetësi dhe, natyrisht, thonë se i mbështesin. Jam i sigurt se vlerësimi për Putinin është në një nivel jashtëzakonisht të ulët. Ju bëj thirrje që të mos besoni në rezultatet e sondazheve”, thotë ai.
Dhe ai beson se trazirat do të fillojnë të shfaqen kur vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga sanksionet perëndimore të përkeqësohen. “Mund ta kem gabim, por të mos bësh asgjë në një situatë të tillë më duket një tradhti,” thotë ai.