Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka thënë se është i brengosur për shkak të ngjarjeve në Ballkan, se në rajon po zhvillohet lufta e narrativit dhe se është qesharake kur shihen nëpër rrugë të Beogradit bilbordet e falënderimit për Kinën, por se nuk ka asnjë fjalë kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian.
Borrel këtë ka deklaruar në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian i cili ka debatuar përveç për Ballkanin edhe për përpjekjet tjera të Bashkimit Evropian përkitazi me luftën kundër koronavirusit.
“Të gjithë janë të brengosur për shkak të Ballkanit. Po zhvillohet luftë rreth narrativit. Sikur të kishit mundur të shkoni në Beograd, do t’i shihnit bilbordet me fotografinë e presidentit të Kinës Xi ku shkruan “Faleminderit vëlla Xi, vetëm ju po na ndihmoni”, kjo është qesharake, kurrë nuk kemi parë bilborda me të cilat na falënderojnë neve. Kështu ndihma kineze po gjendet nëpër rrugë, ndërsa kur ne kemi ndihmuar para dhe gjatë krizës, atëherë asgjë, asnjë fjalë, prandaj duhet të fuqizojmë kapacitetet dhe të shpjegojmë rolin tonë stabilizues në Ballkan”, ka thënë Borrell.
Ai sidomos është përqëndruar në temën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të asaj se cili do të jetë roli i Mirosllav Lajçakut sa i përket dialogut.
“Zotëri Lajçak ka filluar të punojë javën e kaluar dhe është në kontakt me autoritetet e dyja vendeve, taksat janë hequr dhe ky është lajmi i mirë. Lajçak po e formon ekipin e tij dhe t’i japim pak kohë që të përgatitet. Do të kemi samitin në mes dy palëve, BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe ai do të ndodhë në momentin e duhur dhe në të dëshirojmë t’i themi se ata kanë perspektivë të mirë”, ka thënë Borrell.