Një zyrtar i lartë britanik i mbrojtjes ka deklaruar se është plotësisht legjitime që Ukraina duke përdorur armët e furnizuara nga Perëndimi të godasë objektivat ushtarake brenda Rusisë.
Duke folur për BBC, ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, tha se forcat ukrainase kanë çdo të drejtë të ndjekin linjat ruse të furnizimit dhe t’i shkatërrojnë ato për të penguar përpjekjet luftarake të Moskës dhe për të shtuar presionin mbi Kremlinin.
“Së pari, ukrainasit marrin vendimin për goditjet, jo popujt që prodhojnë ose eksportojnë pajisjet në radhë të parë. Dhe së dyti, është plotësisht legjitime të shkosh pas objektivave ushtarake në thellësi të kundërshtarit për të prishur linjat e tyre logjistike dhe të furnizimit”, tha Heappey.
Në një intervistë tjetër për Times Radio, Heappey shprehu miratimin për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për sulmet e Ukrainës ndaj objektivave ushtarake brenda Rusisë dhe theksoi se nuk do të ishte në mënyrë të domosdoshme problem që forcat ukrainase të përdorin armatimin britanik dhe perëndimor për ta bërë këtë.
Që nga shpërthimi i pushtimi rus të Ukrainës më 24 shkurt, Mbretëria e Bashkuar ka dërguar sasi të mëdha furnizimesh ushtarake për forcat ukrainase që luftojnë me rusët, përfshirë raketa tokësore-ajrore, automjete të blinduara dhe të transportit, si dhe dronë zbulimi.