Britania e Madhe, ka kërkuar nga Serbia që t’i lërojë menjëherë tre Policët e Kosovës të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, thuhet në reagimin e tyre.
Nëpërmjet një komunikate, Ambasada e Britanisë ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia “që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”.
Britania ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që kryetarët e komunave të veriut t’i kryejnë detyrat në objekte alternative dhe jo në ndërtesat komunale, teksa po ashtu kanë bërë kërkesë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të tërhiqen nga ndërtesat e komunave.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në njoftim.
Në reagimin e tyre tuhet se zgjedhjet e reja komunale për katër komunat duhet të shpallen sa më shpejt.
“Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog teksa kanë kërkuar nga Kosova që pa vonesa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.