Ambasada britanike hedh poshtë pretendimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, përfshirë Presidentin e tyre Aleksandar Vuçiq, për aeroplanin ushtarak që zbarkoi të premten në Prishtinë.
Fluturakja që ateroi të premten në Prishtinë aktivizoi Beogradin të nisë një fushatë kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës gjatë gjithë fundjavës, me arsyetimin se aeroplani po bartte armatim të rëndë për Forcën e Sigurisë së Kosovë.
Zyrtarët e lartë serbë, përfshirë këtu edhe presidentin Vuçiq, deklaruan se brenda këtij aeroplani kishte raketa “Javelin” dhe “NLAW” të cilat po përdoren edhe nga forcat ukrainase për luftë kundër trupave ruse.
Gazeta Express ka pyetur KFOR-in dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar rreth pretendimeve të Vuçiqit me vartës se po e armatosin Kosovën. Britanikët në Prishtinë thonë se qëllimi dihet dhe se aeroplani ka ardhur për trupat e tyre ushtarakë, të vendosur në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.
Dje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për dallim nga britanikët, zgjodhi të japë një përgjigje konfrontuese duke u thënë gazetarëve “Nuk ka nevojë që ata (Beogradi), t’iu gënjejnë më shumë… e qe ta kuptoni se nuk duhet më t’i besoni asnjëherë”.
Çfarë tha KFOR-i për aeroplanin ushtarak?
Për këtë aeroplan, përfolja e të cilit është kthyer në agjendë disaditore e zyrtarëve serbe, kishte njoftuar zyrtarisht KFOR-i.
Duke treguar veçoritë e këtij lloji të avionit, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë njoftonte se ai ka ardhur nga Britania për të ndihmuar ushtarët britanikë të vendosur në Kosovë.
“Këtë jave, avioni i forcave ushtarake të Mbretërisë ‘A400M’ fluturoi nga Britania në Kosovë, për të kryer një operacion ndihmës për forcat tokësore ushtarake britanike, në KFOR”, thuhet në postimin e publikuar në faqen zyrtare të KFOR-it, në Facebook. Postimi shoqërohej me fotografi të aeroplanit që po ateronte në Prishtinë.
KFOR nuk ka ndonjë version tjetër rreth këtij aeroplani, pas pretendimeve të Vuçiqit
Ankesat e udhëheqjes serbe për Britaninë e Madhe
Vuciq ka nisur një propagandë se Mbretëria e Bashkuar po e armatos Kosovën. Dhe, ata nën të po e përcjellin ritmin.
Sipas mediave serbe të kontrolluara në pushteti atje, përmes këtij fluturimi “është realizuar dërgesa e raketave ‘Javelin’ dhe ‘NLAW’ në Kosovë, të cilat po përdoren edhe nga forcat ukrainase për luftë kundër trupave ruse”.
Të njëjtat media raportonin të shtunën se Vuçiqi do t’i ankohet kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili prej kur ka nisur lufta në Ukrainë është angazhuar intensivisht për t’u dalë në krah ukrainasve. Johnson, të cilit Vuciq do që t’i ankohet, është lideri i parë i një shteti, që ka vizituar Kyivin në kohë lufte.
Serbia ndërkaq është në ekstremin tjetër. Ka nisur një peticion në përkrahje të Rusisë, të cilin u raportua se e nënshkruan akademikë, klerikë fetarë dhe regjisorë. Tubimet kohëpaskohshme në Beograd, në përkrahje të Moskës, e kanë bërë Serbinë vendin e vetëm në botë që bën tifozllëk për forcat, që po raportohet cdo ditë se po kryejnë krime dhe masakra ndaj popullsisë civile në Ukrainë.