Britanikët janë të bindur se shtatorja e Blairit në Kosovë është Jason Donovan

Shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, e cila u zbulua në Ferizaj në 25-vjetorin e çlirimit ka lënë shumë njerëz në habi, pasi e kanë krahasuar me aktorin australian Jason Donovan.

Një postim që ish-sekretari i Blairit shpërndau më pas, Alistair Campbell, u bë virale dhe ngjarje u kthye në komike.

“Shtatorja e Tony Blairit u zbulua në Kosovë”, kishte shkruar Campbell.

Por, komentuesit ishin të sigurt se ka ndodhur një gabim aty, shkroi The Independent.

“Shtatorja e Jason Donovanit është zbuluar. Duhet të ishte Tony Blair”, shkroi njëri.

“Ky është Jason Donovan…”, shtoi një tjetër.

Edhe të tjerë vazhduan të komentonin duke hedhur dyshime se shtatorja e kujt ishte zbuluar në Kosovë.

“Shikova pse Jason Donovan po bëhej më i kërkuari në internet, e tani nuk mund ta largoj nga sytë se sa shumë duket ai si Tony Blair”, shkroi dikush.

Më 12 qershor, në Ferizaj u përurua shtatorja e Blairit në nderim të rolit që ai pati në çlirimin e Kosovës më 1999. Gatishmëria e Blairit për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve u nderua ndër vite nga populli i Kosovën. Madje, në nderim të tij shumë prindër ua lanë fëmijëve të tyre emrin e ish-kryeministrit britanik.

Shtatoren e punoi skulptori Agon Qosa. Blair në 25 vjetorin e çlirimit ka qëndruar në Kosovë.