Festat e kombëtare po e gjejnë vendin çdo vit e me më pak njerëz. Studiuesit dhe akademikët, e kanë ndjerë këtë shqetësim dhe përtej qeverisjes një formë që mund të frenojë largimin është brumosja me atdhedashuri.
Në mos e frenoftë, të paktën të mund të shërbejë për të rikthyer pas ca kohësh ata që emigruan për një jetë më të mirë.
Por gjithçka nis nga mënyra si ju flasim fëmijëve në familje dhe në bankat e shkollës.
Kristi dhe Ambla janë veshur kuq e zi, ndërsa Stivi ka zgjedhur që atdhedashurinë ta shprehë duke vizatuar.
“Unë kam vizatuar shpatën e Skënderbeut. Ai është më trimi”, thotë ai për A2 CNN.
Të veshurën me simbolika dhe vizatimin e tyre e bëjnë kaq natyrshëm, por disi më të vështirë e kanë t’i japin përgjigje pyetjes: “Çfarë ka ndodhur ditën e sotme?”
“Nuk e di, por për mua ka një kuptim që e festojmë të gjithë bashkë festën e 28-29 nëntorit”, thotë një tjetër.
Për Ruzmira Bejajn, mësuese pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës Për Fëmijë, arti mund të jetë njëra mënyrë.
“Mendoj që është mënyra më e mirë për t’ia ngulitur thellë brenda shpirtit të tyre nëpërmjet artit. Fëmijët nuk i kuptojnë shumë qartë gjërat siç ndodhin, por i ndjejnë dhe përjetojnë ndaj është mirë ngulitja me art e punime të vogla që kanë simbolika të mëdha se çdo pikturë këtu flet”, thotë Ruzmira Bejaj.
Mësuese Sania, sot në pension, dikur e ka ndjerë më të fortë vlerën e një disipline në mësimdhënie dhe nxënie të ngjarjeve, vlerë që sot do të ishte edhe më e shtuar për shkak të rënies së propagandës.
“Mësonin datat i historike për t’u zgjuar ndjenjën patriotike te fëmijët dhe ngjarjet historike i thithnin menjëherë që në klasë”, thotë ajo.
Një shoqëri e denjë, sipas saj, nuk duhet të tërhiqet kurrë nga përpjekjet për të zbuluar se si e shkuara dhe kujtesa përmes dijes, ndihmon për të krijuar të sotmen e të ardhmen.