Bugajski: Bëni kujdes, Putin po përgatitet për një sulm, do zgjedhë një shtet përgjatë kufijve rusë në Europë ose Azi

Nga Janusz Bugajski

Ekskluzive Dita –Presidenti Vladimir Putin e ka bazuar marrjen e mbështetjes vendase mbi rritjen ekonomike dhe rivendosjen e “Botës Ruse”. Me rënien e theksuar të ekonomisë ruse, ka gjithnjë e më shumë gjasa që Kremlini të sulmojë një nga ish-fqinjët sovjetikë për të ringjallur kredencialet e tij perandorakë.

Dymbëdhjetë vite më parë, Rusia pushtoi Gjeorgjinë për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga kriza financiare e vitit 2008, ndërsa, në vitin 2014 pushtoi Ukrainën për të ndihmuar në shtypjen e protestave në rritje kundër sundimit të Putinit. Një shumicë faktorësh do t’i bëjë muajt e ardhshëm të rrezikshëm veçanërisht për fqinjët e Rusisë, por edhe për vetë Rusinë.

Një politikë e jashtme këmbëngulëse mund të largojë vëmendjen nga rreziku i rënies ekonomike të Rusisë, ndërsa pandemia globale ofron një mundësi strategjike unike. Kryeqytetet perëndimore janë të preokupuar me krizën shëndetësore dhe pasojat e saj ekonomike. Për më tepër, SHBA përballet me paqëndrueshmëri shoqërore dhe ekonomike, në mes të zgjedhjeve thellësisht përçarëse.

Putin urgjentisht do të kërkojë një fait accompli – fakt të kryer – jashtë, sidomos pasi ai mund të jetë përballë administratës më luftarake të Biden. Edhe pse ekipi amerikan i sigurisë kombëtare i është kundërvënë sulmit rus, Putin e percepton Trump si më favorizues. Dhe nëse Trump rizgjidhet, Putin do të kërkojë një marrëveshje të madhe e cila do të pranojë pushtimet e reja të Rusisë.

Kremlini ka disa mundësi për sulme përgjatë kufijve ruse në Europë dhe në Azinë Qendrore. Ndonëse Moska aspiron të marrë Kazakistanin verior, të banuar nga një popullsi e konsiderueshme etnike ruse, një operacion i tillë do të ishte i tejzgjatur, shkatërrues dhe do t’i largonte prej Rusisë aleatët e tjerë të saj në Azinë Qendrore.

Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një anëtari të NATO-s që përfshin popullsi të konsiderueshme ruso-folëse, si Estonia ose Letonia, mund të jetë joshes, por ai ka të ngjarë të provokojë kundërpërgjigjen amerikane, për të mbrojtur aleatët e saj. Vendet jashtë NATO-s janë më të prekshmet, pasi ato nuk janë të pajisura me një mburojë sigurie shumëkombëshe.

Ukraina mbetet “çelësi” kyç i axhendës neo-perandorake të Moskës. Pavarësia e saj dhe integrimi perëndimor nxjerrin zbuluar pretendimet mashtruese të Rusisë ndaj historisë, identitetit, kulturës dhe territorit të këtij vendi. Megjithëse Rusia ka pushtuar Krimenë e Ukrainës dhe pjesë të rajonit lindor të Donbasit, Moska nuk ka arritur ta detyrojë Kievin të rihyjë nën kontrollin e saj. Prandaj Putin po vlerëson disa mundësi për një tjetër sulm ndaj sovranitetin të saj. Këto (mundësi) përfshijnë një ofensivë të re për të zgjeruar Donbasin e mbajtur nën kontroll, pasi të pretendohet se procesi i paqes të Minskut ka dështuar, ose edhe aneksimin e drejtpërdrejtë të “republikave popullore” të Donetsk dhe Luhansk.

Një tjetër mundësi është një operacion humanitar i maskuar për t’i siguruar ujë Krimesë të goditur nga thatësira. Kjo do të përfshinte pushtimin e pjesës më të madhe të bregdetit jugor të Ukrainës nga deti Azov në qytetin port të rëndësishëm të Odesas. Një operacion i tillë do të bllokonte daljen e Ukrainës në Detin e Zi dhe do ta shtërngonte edhe më tej ekonominë e vendit.

Kështu Rusia do të kthehej në kërcënim të drejtpërdrejt për aleatin e NATO-s, Rumaninë, si dhe për rotën e anijeve tregtare dhe platformat e energjisë të Detit të Zi. Rusia ka dërguar 150,000 trupa dhe më shumë se 100 anije luftarake pranë kufijve të Ukrainës, të cilat presin në gjendje gatishmërie të lartë dhe po zhvillojnë një seri ushtrimesh sulmuese. Moska pretendon se po sigurohet ushtarakisht kundër kërcënimeve terroriste, por objektivi duket më ogurzi.

Një mundësi e afërt është thithja e Bjellorusisë, e cila në Moskë shihet si tokë ruse me një sens të rremë identiteti kombëtar. Preteksti i rritjes së trazirave në Bjellorusi dhe zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të 9 gushtit mund t’i japin Putinit mundësinë të hiqet si çlirimtari i kombit nga sundimi autokratik i Aliaksandr Lukashenka. Askush nuk parasheh se rënia e Lukashenka do t’i paraprijë një qeverie demokratike pro-perëndimore në Minsk.

Përkundrazi, Moska do të përpiqet të garantojë se Bjellorusia nuk do të ndjekë rrugën e Ukrainës dhe Gjeorgjisë drejt institucioneve perëndimore.

Por, pavarësisht llogaritjeve të tij, ndërtimi i perandorisë nga Putini mund të ketë efekt të kundërt në vend. Deri më tani, kundërshtimi i hapur ndaj Moskës është sjellur rreth ankesave specifike – qoftë kjo humbja e territorit nga Ingushetia në Kaukazin e Veriut, largimi nga detyra i një guvernatori popullor në Kabarovsk në provincën e Lindjes së Largët, pakësimi i të drejtave gjuhësore në mesin e etnive joruse në republikat e shumta kombëtare, apo ndotja e mjedisit në rajonet Veriore të Largëta të vendit.

Paradoksalisht, në vend që të largojë vëmendjen nga problemet e brendshme, një sulm jashtë mund të përkeqësojë dhe ripërqendrojë zemërimin e popullit. Kundërshtia ndaj ndërhyrjes së Moskës në Siri dhe rajone të ndryshme të Afrikës është në rritje dhe (gjithnjë e) më pak njerëz shohin përfitim në një lufte në Donbas.

Një tjetër aventurë arratie e kushtueshme që varfëron dhe izolon më tej Rusinë mund të ndihmojë në bindjen e segmenteve të mëdha të popullatës ruse se e vetmja zgjidhje është rrëzimi (nga pushteti) i Putinit./