Televizioni amerikan CBS ka publikuar një simulim të animuar të incidentit, mes dronit amerikan dhe dy aeroplanëve luftarakë rusë mbi Detin e Zi.
Simulimi tregon sesi aeroplanët luftarakë rusë kishin kaluar nën dronin e ushtrisë amerikane, duke i hedhur derivat sipër.
E sipas zyrtarëve amerikanë, piloti rusë ka dashur të fluturojë para droni me qëllim që fluturakja pa pilot të futet “në renë” me karburant, por se kishte filluar më herët të ngrit lart “hundën” aeroplani dhe ishte përplasur me helikën e dronit, ku operatorët amerikanë të fluturakes pa pilot nuk kishin patur tjetër zgjedhje pos ta rrëzojnë në Detin e Zi.
Droni MQ-9 Reaper i ushtrisë amerikane është një fluturake vëzhguese, që në ato momente po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Kjo fluturake ka krahë të gjerë deri në 20 metra dhe kontrollohet nga distanca të mëdha nga operatorët. Ka kapacitete të fluturojë në një lartësi prej mbi 15 mijë metra.
Në anën tjetër, rusët kanë mohuar akuzat se aeroplanët e tyre të kenë patur çfarëdo kontakti me dronin amerikan.
Ndërkaq Pentagoni akuzon Rusinë për sjellje të papërgjegjshme të pilotëve të tyre, dhe fluturim të rrezikshëm dhe jo profesional.