Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, debatin e zhvendosur prej ruajtjes së objekteve që përbëjnë trashëgimi të veçantë kulturore në atë të emrit të përvetshëm të Xhafer Devës, e ka quajtur si “debat që origjinën e ka në Serbi”.
Ndonëse Ministria e Kulturës lajmëroi restaurimin e objektit, dhe jo “restaurimin e figurës së Xhafer Devës”, reagimet qenë “histerike” për bagazhin “historik” të saj.
“Duhet thënë qartë, ta përsërisim, që populli shqiptar ka dhënë dëshmi të panumërta për angazhimin anti-fashist dhe angazhimit në mbrojtje dhe shpëtimin e popullit hebre. Debati i ditëve të fundit origjinën e ka në Serbi”, është shprehur Hajrulla Çeku në një konferencë për media.
Sipas tij, këtij debati është synuar t’i mëvishet gënjeshtra se Kosova ka qenë mohuese e Holokaustit, gjë që është fabrikim serb.
“Një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve të luftës e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretiuar Kosovën si mohuese të Holokaustoit ose duke e paraqitur projektin si përpjekje për revizionizëm ose rishkrim të historisë”.
Por faktet insistojnë, tregon Çeku, dhe se ato, në këtë rast, janë kundër Serbisë.
“Ky është një narracion i gënjeshtrëm që vjen nga Serbia. Faktet historike janë kokëforta, dhe qartësisht nuk janë në anën e Serbisë”.
“Edhe faktet aktuale e përgënjeshtrojnë këtë narracion”, theksoi ministri i kulturës.
Për objektin në fjalë, e cila nuk mëvesh asnjë ideologji, por që në fakt përbën trashëgimi të veçantë kulturore dhe estetike, u bë debat “rehabilitimi figurash naziste”, kryesisht nga figurat politike në Serbi.