Çfarë ndodhi më 11 Shtator?

Mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001, 19 terroristë Islamikë të Al Qaeda-s, morën peng 4 avionë pasagjerësh të nisur nga Boston, Njuark dhe Uashington dhe i përdorën ato si raketa gjigante për të sulmuar godina simbolike në SHBA.

2 kullat ikonë të Nju-Jorkut u rrëzuan, Pentagoni u dëmtua rëndë; gati 3 mijë njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën, ose pësuan probleme afatgjatë shëndetësore. Sulmi më i rëndë terrorist në tokën amerikane ndryshoi Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë botën në mënyrë të pakthyeshme.

08:45: Sulmohet Kulla Veriore e World Trade Center. Shënjestra e parë ishte Kulla Veriore e World Trade Center në Nju-Jork. Një Boeing 767 i ngarkuar me mbi 75 mijë litra karburant u përplas me Kullën Veriore duke lënë një vrimë në katin e 80-të të godinës 110-katëshe. Qindra vetë në katet e sipërme mbetën të vrarë në vend, e shumë të tjerë u bllokuan. Ndërsa evakuimi i kullës nisi menjëherë, kamerat transmetonin live imazhet e atij që fillimisht ngjau një aksident i frikshëm.

09:03: Sulmohet Kulla Jugore e Ëorld Trade Center. 18 minuta më vonë, një tjetër Boeing 767 i United Airlines, u shfaq në qiell, duke devijuar në mënyrë të beftë drejt Wolrd Trade Center, për të goditur Kullën Jugore pranë katit të 60-të. E ndërsa u bë e qartë se Amerika po sulmohej, një shpërthim masiv derdhi shi, mbetjesh të djegura në godinat e rrugët rreth e rrotull.

9:45: Sulmohet Pentagoni. Ndërsa miliona njerëz shihnin të tmerruar ngjarjet dramatike në Nju-Jork, një avion i American Airlines, me numër fluturimi 77, u pa të vërtitej mbi Uashington para se të përplasej me pjesën perëndimore të Pentagonit, selia gjigante e ushtrisë amerikane. Karburanti i Boeing 757 shkaktoi një zjarr shkatërrues që çoi në shembjen e strukturës së një pjese të murit gjigant prej betoni.

10:10: Rrëzohet avioni në Shenksvil të Pensilvanisë. Avioni i 4 u rrëzua në një fushë te Pensilvanisë në 10:03 minuta, pasi pasagjerët, të cilët ishin në dijeni të ngjarjeve në Nju-Jork, iu kundërvunë terroristëve, duke parandaluar një sulm të mundshëm në godinën e Kapitolit. Mjeti fluturues i nisur nga aeroporti i Nju-Xhersit me destinacion Kaliforninë, humbi kontrollin dhe ra me shpejtësi drejt tokës, duke u përplasur pranë një fushe në Shenksvil në Pennsilvaninë perëndimore..

Shemben Kullat Binjake: Më pak se 15 minuta pasi terroristët goditën në zemër ushtrinë amerikane, tmerri në Nju-Jork mori dimension të ri pasi kulla jugore u shemb duke lënë pas re masive tymi dhe pluhuri. Në 10:30, të njëjtin fat pati edhe kulla veriore.

Sa njerëz vdiqën?

Në total 2977 njerëz, pa përfshirë 19 pengmarrësit, humbën jetën në sulme, shumica e të cilëve në Nju-Jork. Të gjithë 246 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit në 4 avionët u vranë. Në kullat binjake, u shënuan 2606 viktima, qe humbën jetën në vend ose më vonë nga plagët e marra. Në Pentagon, u vranë 125 persona.

Viktima më e re ishte 2-vjeçarja Christine Lee Hanson, e cila vdiq në një prej avionëve bashkë me prindërit Peter dhe Sue. Viktima më e moshuar ishte 82-vjeçari Robert Norton, i cili gjendet në një tjetër avion me bashkëshorten Zhakline, teksa ishin nisur për një dasmë. Kur avioni i parë sulmoi kullat, rreth 17 400 persona gjendeshin atje. Askush nuk mbijetoi mbi zonën e impaktit në kullën veriore, por 18 vetë arritën të largoheshin nga katet mbi zonën e impaktit në Kullën Jugore. Qytetarë nga 78 vende të ndryshme ishin mes viktimave. Nju Jorku humbi 441 punonjës të ndërhyrjes së shpejtë. Mbi 10 mijë njerëz u plagosën ose zhvilluan më pas sëmundje që kishin lidhje me sulmet, përfshirë zjarrfikësit që ishin përfshirë në operacione mes mbetjeve toksike.

Kush ishin agresorët?

Rrjeti ekstremist Islamik, Al Qaeda planifikoi sulmet nga Afganistani. i udhëhequr nga Osama Bin Laden, Al Qaeda fajësonte SHBA dhe aleatët e saj për konfliktet në botën Myslimane. 19 pjesëtarë të grupit terrorist morën peng avionët, duke u koordinuar në 3 ekipe prej 5 personash dhe një me 4 të tillë, në avionin e rrëzuar në Pensilvani. Secili grup përfshinte dikë që ishte trajnuar si pilot në shkolla amerikane fluturimi. 15 nga pengmarrësit ishin sauditë, ashtu si vetë Bin Laden; dy ishin nga emirate e bashkuara arabe, një nga Egjipti, dhe një nga Libani.

Si reaguan SHBA?

Më pak se një muaj pas sulmeve, presidenti amerikan George W Bush me mbështetjen e një koalicioni ndërkombëtar, udhëhoqi pushtimin e Afganistanit, me qëllim shkatërrimin e Al Qaeda-s dhe kapjen e Osama Bin Laden. Megjithatë u desh të pritej deri në 2011, që trupat amerikane më në fund të lokalizonin dhe të vrisnin terroristin më të kërkuar në botë. Arkitekti i pretenduar i sulmeve të 11 Sshtatorit, Khalid Sheikh Mohammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003. Ai mbahet në burgun e Guantanamos që prej atëherë dhe është pritje të procesit gjyqësor. Al Qaeda vazhdon të ekzistojë; është më e fortë në Afrikën subsaharaine por edhe tani ka pjesëtarë brenda Afganistanit. Trupat amerikane u larguan nga Afganistani pas gati 20 vitesh, duke nxitur frikën se shumë prej grupeve Islamike mund të rikthehen.

Trashëgimia e 11 Shtatorit

Masat e sigurisë lidhur me udhëtimet ajrore u ashpërsuan ndjeshëm pas sulmeve të 11 shtatorit. Në SHBA, Administrata për Sigurinë në Transport u krijua për të forcuar sigurinë në aeroporte dhe avionë. U deshën më shumë se 8 muaj për të pastruar Ground Zero, siç u quajt zona ku dikur ishin kullat binjake. Një memorial dhe muze gjenden tani atje. Emrat e të gjitha viktimave u skalitën në panele të bronzta, të grupuara sipas vendit ku individët gjendeshin në ditën e sulmit, në mënyrë që kolegë dhe njerëz në të njëjtin fluturim të përjetësoheshin së bashku. Gjithashtu kullat binjake u ringritën në një formë tjetër, në një projekt që u inaugurua në nëntor të viti 2014. Struktura e pagëzuar si, One World Trade Center ose Kulla e Lirisë, është 541 metra e lartë, më shumë se sa kulla origjinale veriore. Për rindërtimin e Pentagonit u deshën më pak se një vit, me stafin që u rikthye në zyra, në gusht të 2002-shit.