UEFA është duke e hetuar “sjelljen jo të përshtatshme” të Merih Demiralit, pasi ai e festoi golin në “Euro 2024” duke shfaqur me duar një shenjë që lidhet me grupin ultra-nacionalist.
Demirali i realizoi të dy golat e Turqisë, të martën mbrëma në fitoren 2:1 përballë Austrisë. Me fitore, Turqia siguroi vendin në çerekfinale të Kampionatit Evropian.
Pasi e realizoi golin e dytë, Demirali e bëri shenjën me të dyja duart.
Ky veprim bëhet nga nacionalistët turq dhe lidhet me organizatën turke ultra-nacionaliste, Ulku Ocaklari, që gjerësisht njihet si “Ujqërit Gri”.
Pas ndeshjes, Demirali tha se ishte shprehje e pafajshme e krenarisë së tij kombëtare dhe nuk ka asnjë “mesazh të fshehtë apo diçka të tillë”.
Ai tha se këtë festë të golit e kishte në mendje para se të shënonte.
“Ka të bëj me këtë identitet turk, sepse unë jam shumë krenar që jam turk. Dhe këtë e kam përjetuar krejtësisht pas shënimit të golit të dytë. Dhe kështu përfundova duke e bërë atë gjest. Jam shumë i lumtur që e bëra atë”, ka thënë Demiral.
“Kam parë edhe njerëz tjerë në stadium duke e bërë atë shenjë. Kështu më përkujtuan diçka që edhe unë e kisha në mendje”.
Më vonë, ai sërish ishte pyetur për këtë gjest.
“Si mund ta shpjegoj këtë?”, u përgjigj ai. “Natyrisht, të gjithë jemi turq. Jemi të gjithë turq në Turqi. Jemi shumë krenarë. Jam shumë krenar si person që jam turk. Për këtë arsye e bëra. Kjo është arsyeja e atij gjesti. Është shumë normale”.
Demirali, ka thënë se ai shpreson që të ketë “më shumë mundësi për ta bërë të njëjtin gjest sërish”.
UEFA, konfirmoi të mërkurën se ka angazhuar një inspektor për ta hetuar Demiralin.
Nuk ka treguar se kur mund të zgjidhet kjo çështje. Ndeshja e radhës për Turqinë është kundër Holandës në Berlin, të shtunën.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, ka kërkuar nga UEFA, që ta dënojë lojtarin për atë gjest.
“Simbolet e ekstremistëve të djathtë turq, nuk kanë vend në stadiumet tona. Përdorimi i Kampionatit Evropian të futbollit si platformë për racizmin është krejtësisht i papranueshëm”, ka thënë Faeser në platformën “X”.
Omer Celik, zëdhënësi i partisë së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar duke thënë se komentet e Faeserit dhe hetimi i UEFA-s, janë të papranueshme.
“Do të ishte më e pranueshme për ata që shikojnë për racizëm dhe fashizëm të fokusohen në rezultatet e fundit të zgjedhjeve në shtetet e ndryshme evropiane”, ka shkruar Celik në platformën “X”.
Demirali, ishte njëri prej 16 futbollistëve të Turqisë që u akuzuan në vitin 2019, për përshëndetjen e stilit ushtarak nëpër ndeshje, në kohën kur shteti ishte duke kryer ofensivë në Siri.
Grupi “Ujqërit Gri”, u themelua nga krahu rinor i të djathtës së Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, që aktualisht është në aleancë me partinën e Erdoganit, Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim.
Që prej themelimit në vitet e 1960-ta, grupi është akuzuar për përfshirje në dhunë të motivuar nga politika, më së shumti ndaj grupeve të të majtëve.
Lideri i grupit, Devlet Bahceli, të mërkurën ka dënuar hetimin mbi gjestin e Demiralit duke thënë se është “i njëanshëm dhe i gabuar”.
“Shenja e Ujkut Gri e bërë nga djali jonë, Merih, pasi shënoi gol, është mesazh i shtetit turk drejt botës”, ka shkruar Bahceli.
Udhëheqësi nacionalist kërkoi qetësi, duke thënë se “sakrifica e ekipit turk në fushë nuk duhet të shkojë dëm”.
Agjencia e brendshme federale e Gjermanisë, monitoron aktivitetet e “Ujqërve Gri”. Autoritetet thonë se grupi ka rreth 12 mijë anëtarë në shtet.
Grupi është ndaluar në Francë, ndërsa Austria e ka ndaluar përshëndetjen e “Ujkut Gri”.