Shefi i qeverisë austriake Sebastian Kurz dha dorëheqje. Presioni i madh politik dhe medial pas dyshimeve për korrupsion nga drejtësia, nuk i la shteg tjetër Kurzit. Por për t’i shpëtuar drejtësisë ai ka vendosur të kthehet në parlament dhe si deputet të fshihet pas imunitetit. A do t’ia dalë? Dhe: kush është Alexander Schallenberg, i propozuar për kancelar të ri të Austrisë?
Të premten Sebastian Kurz ishte kategorik. Ai tha se nuk do të japë dorëheqje dhe u përbetua se do të dëshmojë pafajësinë. Por çka tha të premten, nuk vlen të shtunën: kancelari austriak Kurz iku nga posti të shtunën në mbrëmje, sepse presioni politik ishte tepër i madh. Të Gjelbrit, partneri i koalicionit i partisë konservatore ÖVP (partisë popullore) të Kurzit, kërcënuan se nuk do të bashkëqeverisin pas një jave dramatike, me ç’rast hetues policorë bastisën selinë e ÖVP-së dhe zyrat e kancelarit.
Dyshimet janë të tmerrshme: Kurz dhe ekipi i tij supozohet se me para të arkës së shtetit kanë paguar anketa të manipuluara dhe këto i kanë botuar në një portal austriak, që nuk dallon aq nga portalet primitive paramediale ballkanike. Po ashtu ky portal austriak dyshohet se u shpërblye me reklama nga qeveria dhe si kundërshpërblim portali e çoi në qiell Kurzin si yll të politikës austriake. Kurz i fitoi zgjedhjet, lidhi koalicion me partinë e djathtë radikale FPÖ. Por pasi u zbulua se dy zyrtarë të FPÖ-së para se të vinin në pushtet ishin takuar me një gjoja mbesë të një oligarku rus në një vilë në Ibiza të Spanjës, ku i kishin premtuar asaj se do t’ia shisnin disa resurse shtetërore dhe një gazetë austriake, kabineti i parë i Kurzit dha dorëheqje.
Pastaj Kurz i fitoi prapë zgjedhjet, duke lozur rolin e viktimës dhe duke u shtirur se ishte tradhtuar nga partneri i koalicionit, nga FPÖ. Kabinetin e dytë Kurz e krijoi me të Gjelbrit, të cilët u futën për herë të parë në një qeveri austriake. Javën që shkoi dolën në fushë edhe dyshimet mbi veprimet e paligjshme të Kurzit dhe shokëve të tij. Në komunikimet telefonike që kanë publikuar mediat austriake ofrohet një antikulturë politike austriake. Kurz, mes tjerash, e quan shefin e partisë “oasch” (në gjermanishten letrare: “Arsch”, në shqip, të na falin lexueset e lexuesit, kjo fjalë domethënë “bythë”). Përmes një fushate mediale dhe me ndihmën e anketave të rrejshme Kurz largoi establishmentin e ÖVP-së dhe e mori partinë, duke u bërë kryetar.
Pasi u bënë publike dyshimet e fundit dhe pas bastisjeve policore, të Gjelbrit paralajmëruan një mocion votëbesimi për të martën e ardhshme. Sipas të gjitha gjasave Kurz do ta kishte humbur votëbesimin në parlamentin austriak. I gjendur nën presion të madh, Kurz dha dorëheqje, por nuk dha shenja se do të larohet nga politika. Ai tha se do të kthehej në parlament si shef i grupit parlamentar të ÖVP-së dhe do të vazhdojë të jetë kryetar i ÖVP-së. Vëzhguesit e vëmendshëm të politikës austriake theksuan se duke u kthyer në parlament, Kurz po përpiqet t’i ikë drejtësisë. Si deputet ai është i mbrojtur nga imuniteti.
Në paraqitjen para mediave të shtunën Kurz tha se i ka propozuar presidentit Alexander Van der Bellen që kancelar i ardhshëm të jetë ministri i jashtëm Alexander Schallenberg. Ai është pinjoll i familjes fisnike Schallenberg. Babai i tij ka qenë ambasador dhe sekretar i përgjithshëm i ministrisë së jashtme austriake. Alexander Schallenberg u lind në Bern dhe u rrit në Indi, Spanjë dhe Paris, atje ku shërbeu i ati i tij si ambasador austriak. Alexander Schallenberg konsiderohet njohës i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë. Si ministër i jashtëm i Austrisë ai vizitoi Kosovën në maj të vitit 2020 dhe dha lajmin se qeveria e tij do të dhurojë Kosovës 250 mijë euro për të luftuar pandeminë.
Në konferencën për media Kurz tha se “po e lëshon postin” për të evituar kaosin. Ai tha se partneri i koalicionit është pozicionuar kundër tij. Vendi, sipas tij, ka nevojë për stabilitet. Shefja e partisë opozitare socialdemokrate Pamela Rendi-Wagner shkroi në Twitter: “Sebastian Kurz po largohet si kancelar, por sistemi Kurz po mbetet. Kurz do të jetë kancelar në hije dhe do t’i tërheq edhe më tutje penjtë”.
Në një koment në revistën “Profil” gazetarja Franziska Tschinderle shkroi mbi hipokrizinë e europianëve që nga vendet e Ballkanit kërkojnë të luftojnë korrupsionin. “Si t’u kërkosh shqiptarëve reformën në drejtësi, kur ÖVP vazhdimisht atakon prokurorët? Si të kërkosh nga serbët liri më të madhe të mediave, kur rrethi i kancelarit dyshohet se i ka blerë mediat bulevardeske?” Në Ballkan qeveria austriake shtiret si luftuese e korrupsionit, ndërsa në shtëpi prokuroria kundër krimeve ekonomike ankohet për “ekonomi jaranash” dhe “ryshfet”, shkroi Tschinderle. Sipas saj, në moçalin nëpër të cilin po lundron ÖVP, nuk duhet të orientohet asnjë vend i Ballkanit që synon hyrjen në BE.
Kurz ka mbajtur raporte të ngushta me shumë politikanë autokratë të Ballkanit. Nikolla Gruevskin e Maqedonisë së Veriut e ka përkrahur në fushatë elektorale. Nga Aleksandar Vuçiqi i Serbisë ka marrë një dekoratë. Edhe me politikanë kosovarë të së kaluarës Kurz ka pasur një komunikim të ngushtë. Përkrahës i Kurzit ka qenë edhe ambasadori skandaloz i Donald Trumpit në Berlin dhe i dërguar për Serbi e Kosovës, Richard Grenell. Pas dorëheqjes të shtunën Kurz i përket historisë, por ndoshta vetëm përkohësisht. Mediat bulevardeske austriake besojnë se ai një ditë do të kthehet.