Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Trafikut ballafaqohet me shoferë të cilët nuk u binden urdhrave për t’u ndalur dhe shpërfillin zyrtarët policorë, të cilët shpesh edhe i rrezikojnë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Istog, gjatë ditës së djeshme, në një pikë kontrolli në fshatin Tomoc.
Sinjali mëson se derisa një njësi policore po patrullonte në këtë fshat, një automjet kishte kaluar me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
Përveç që nuk ndaloi, shoferi që lëvizte me këtë veturë vazhdoi që të ikë me shpejtësi të madhe, teksa në ndjekje të tij u vu edhe Policia. Por kjo siç duket nuk e trembi e as nuk arriti ta ndalë deri në hyrje të Istogut.
Gjatë gjithë kohës, i dyshuari ka rrezikuar trafikun, deri në një pikë kur e humb kontrollin edhe mbi automjetin e tij, por që prapë arrin t’i shmanget Policisë dhe ikë.
Lidhur me këtë rast, Prokurori ka dhënë urdhër që të nisin hetimet për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.