Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur në Rubikon, rreth çështjes së tokës së blerë në Gllogjan, për të cilën mbrëmë në seancën parlamentare, pati një debat me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka deklaruar se toka që e ka blerë ka qenë e babait të tij.
”Plasshi, plasshi – plasni e çka të doni, urno toka e babës tem, e shpisë teme e katunit teme, e kom ble për vete, për katundin tem, plasshi prej inati. Çka kom me ju bo vlla”, ka thënë Haradinaj mes tjera.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar aktori Çun Lajçi, i cili në mënyrë artistike ka përshkruar gjithë ngjarjen me tokën e Haradinajt.
Madje, mes tjerash ka shtruar pyetjen: “Pse nuk e bleve Çakorrin pra, edhe ajo ishte tokë e babës?”
“Pi kafe pa pare të Hazirajt e Banullës e hija ime që rrin kacul mbi krye, i gjenë behane kafës këndej Ibrit e andej Drinit. Mundohet me i la ne t’Ziun e ne t’Bardhin, por s’lahen mëkatësh shqiptarët e s’u shuhet etja për toka, vila, vetura, pare e femna!”, shkruan Lajçi.
Postimi i plotë:
Hijes sime i thashë
Kur shet, duhesh me lavdua mallin. Me ia shtua afatin! Mos me i lanë kurkund njollë as dergjë!
Kur blenë, duhesh me i gjetë behane për me ia ulë pazarin. Krymbin me ia gjetë mollës së shëndoshë!
Në të dya rastet me humbë shpirtin e me rrejtë sa t’mundësh!
Kështu e nisa muhabetin sot, me hijen time që mu ul përballë, pa m’pyet, kinse mos t’rri vetëm, mos t’mërzitëm deri sa ta pi kafën.
Ne jemi t’shitun e t’blemë. T’blemë e t’shitun jemi që kur na kurdisi Zoti e s’keni pse me na i kqyrë dhambët!
I bërtita karrigës së zbrazët, ku rrin hija ime e mbrapshtë!
Por ajo mi zgurdulloi sytë si naleti! M’shiqoi e m’zhbiroi tue ma matë lulën e ballit. Thua se po i kërkonte dy gishta mbi vetullën time, me marrë hak. E për çka? Për mospajtimin e herifave t’kombit! Për shitje, blemje, grabitje, shpifje, rrena. Edhe për t’vërtetat që vrasin!
Ktheje tokën se po t’i kthejmë paret!
M’thotë hija përballë!
Se kthej, bërtas e nguli kambë si thiu n’akull. E kam ble tokën e babës! Ai ka qenë i pasun! E din krejt katundi!
Pse nuk e bleve Çakorrin pra, edhe ajo ishte tokë e babës?
Dhe mbyllet goja. Hija del mbrapa e m’hipë mbi shpatulla. Si Luli i lëpinë buzët e flet me temena!
Kimja m’ka thanë me i ndrrua bravat, se ti s’je njeri ma. Je ba nalet e tu ka rritë hunda.
Mos mu ka rritë edhe diçka tjetër? Bërtas!
As vulën s’ta jap as zyrën nuk ta lëshoj. Ti mundësh veç nëpër livadhe me mbajtë mbledhje e me kullotë!
Zotnitë prishën mes veti e ambasadorët turrën me i fry zjarrmit. S’mërzitet Evropa se kuj do ti përzhitën mustaqet!
Kryesorja naleti kcen shpatullave tona e qeshet e populli han barë.
Kështu thoshte Ramizi, s’po rrejë!?
Pi kafe pa pare të Hazirajt e Banullës e hija ime që rrin kacul mbi krye, i gjenë behane kafës këndej Ibrit e andej Drinit. Mundohet me i la ne t’Ziun e ne t’Bardhin, por s’lahen mëkatësh shqiptarët e s’u shuhet etja për toka, vila, vetura, pare e femna!
Ma gjejë ma shpejtë lulën e ballit e ma qëndis se s’jetohet me rrena, mashtrime e ndërskamca!
E ve gishtin n’ballë e hijës i them: Këtu asht vendi për plumbin tand! Çkrepe, se vetëm shqiptari shitët e blehet e blehet e shitët e kurrë nuk ngihet!