Në raportin periodik për Kosovën, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është theksuar se Rusia ka pasur ndikim në tensionimin e situatës në veri. Në dokument janë dhënë vlerësime edhe për faktorët që kanë kufizuar shtrirjen e autoritetit në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë.
Paqëndrueshmëria politike dhe çështjet e sigurisë kanë kufizuar aftësinë e Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë autoritetin në veri, theksohet në raportin periodik mbi terrorizmin, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).
Në të janë përmendur edhe zhvillimet e vitit 2022, ku veriu ishte epiqendër e tensioneve, si pasojë e sulmeve ndaj zyrave komunale e bllokadave në rrugë.
Këto aspekte përmenden krahas rrezikut që paraqesin organizatat terroriste për qytetarët e Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, janë objektivë i mundshëm për rekrutim nga organizatat ekstremiste të dhunshme me orientim politik etnonacionalist ose fetar. Veçmas, çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhduan ta kufizojnë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të konfirmuar autoritetin e saj në atë rajon”, thuhet në raportin e DASH-it. “Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja dhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës (PK) për të promovuar një mjedis të sigurt dhe për ta forcuar sundimin e ligjit”.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka konstatuar se tensionet ndëretnike në Kosovë janë pasojë edhe e ndikimit të Rusisë.
“Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, Ambasada në Prishtinë ka vërejtur një rritje të dezinformimit rus dhe ka vlerësuar se është nxitës gjithnjë e më i pranishëm i të menduarit të dhunshëm ekstremist dhe polarizimit ndëretnik që kontribuon në tensionet ndëretnike në veri të Kosovës”, thuhet në këtë dokument.
Në raport përmenden edhe incidentet e vitit të kaluar, të cilat Qeveria e Kosovës i kualifikoi si terroriste.
“Në prill, Qeveria e Kosovës denoncoi sulmet e armatosura kundër policëve në veri të Kosovës si akte terrorizmi. Prokurorët kosovarë këto incidente i klasifikuan si vepra terroriste dhe akte kundër rendit kushtetues. Në dhjetor, Policia e Kosovës arrestoi ish-oficerin e PK-së, Dejan Pantiq, për vepra të lidhura me terrorizmin pas një sulmi, që përfshinte një mjet shpërthyes në objektet e zgjedhjeve lokale dhe stafin zgjedhor komunal në Mitrovicën e Veriut”, evidentohet në raport.
Të mërkurën, Prokuroria e Shtetit u ngriti aktakuzë Pantiqit dhe tre personave tjerë, të dyshuar për sulmin në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.
Ata akuzohen se hodhën granata dore dhe shok bomba në drejtim të zyrës, ndërsa një nga granatat shpërtheu duke shkaktuar dëme materiale dhe rrezikoi jetën e zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të policëve. Ata akuzohen për vepra terroriste.
DASH-i ka përmendur edhe riatdhesimin e shtetasve kosovarë nga qendrat e paraburgimit dhe kampet e personave të zhvendosur në Siri.
“Në maj, dy shtetas meshkuj kosovarë u riatdhesuan nga Siria në një operacion të përbashkët me qeverinë shqiptare, i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara. Këta dy të rritur u akuzuan për vepra terrorizmi. Ky ishte operacioni i tretë i kthimit. Deri më tani, Kosova ka riatdhesuar më shumë se 120 shtetas. Rreth 80 shtetas mbetën në kampet e personave të zhvendosur ose qendrat e paraburgimit, ose ishin të pagjetur në fushën e betejës në Siri”, shkruan në raport, i cili thekson dënimet e ulëta për vepra të lidhura me terrorizmin në Kosovë.
Në raport është analizuar edhe korniza ligjore, për të cilën është vlerësuar se përgjithësisht mundëson ndjekjen penale dhe burgosjen e individëve të dyshuar për mbështetje të aktiviteteve terroriste ose pjesëmarrje në luftëra të huaja. Megjithatë, dënimet e ulëta, lirimi me kusht dhe mbikëqyrja e çorganizuar pas lirimit, sipas Departamentit amerikan të shtetit, përbëjnë kërcënim për sigurinë.
“Shtetet e Bashkuara ofruan trajnime dhe këshilla specifike për rastet për prokurorët kosovarë dhe vazhduan të trajnojnë gjyqtarët kosovarë për udhëzimet dhe analizat e dënimeve. Sistemet policore dhe korrektuese ndihmuan në reduktimin e radikalizimit të burgjeve në dhunë duke identifikuar tendencat dhe kërcënimet brenda institucioneve penale; duke forcuar koordinimin e policisë, inteligjencës dhe agjencive korrektuese; dhe duke përgatitur institucionet e sigurisë me një kuptim më të mirë se si ekstremizmi i dhunshëm përhapet pas burgosjes”, shkruan në raport.
Sa i përket luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, sipas DASH-it, Kosovës aktualisht i mungon një strategji e plotë për të adresuar kërcënimet e reja të lidhura me terrorizmin. Ndërsa përballet me shumë të kthyer nga zonat e luftës, raporti thotë se Kosova operon me një strategji dhe plan veprimi të vjetruar.
“Kosova vazhdon bashkëpunimin përmes Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komunitetit, përmes të cilit Kosova po forcon rrjetin e aktorëve që punojnë në riintegrimin dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Trembëdhjetë komuna të Kosovës janë anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Forta. Shtetet e Bashkuara vazhduan programin e CVE në Kosovë, siç është projekti i Seksionit të Diplomacisë Publike të Ambasadës në Prishtinë, i fokusuar në çështjet e ekstremizmit të dhunshëm që rezultoi me dokumentarin Ekstremizmi në botën moderne”, shkruan në raport.
Programi i Asistencës Antiterroriste i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, sipas raportit, ka siguruar grante për pajisje teknike për të forcuar gatishmërinë operacionale të Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës dhe ka zhvilluar trajnime mbi aftësitë hetuese, shpartallimin e komploteve terroriste dhe sigurinë kufitare.