Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
Në një përgjigje dërguar REL-it, DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.
Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, , që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Më herët gjatë 11 janarit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.
Lajmi për synimin e Kosovës që të blejë raketa Javelin është cilësuar si “zhgënjim i madh” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.