Njëzet vite pas dënimit të parë për vrasjen e Azem Hajdarit, Gjykata e Tiranës shpalli sërish fajtor për këtë ngjarje Izet Haxhinë. Togat e zeza urdhëruan 21 vjet heqje lirie ndaj të pandehurit për bashkëpunim në vrasjen e ish-deputetit demokrat në shtatorin e vitit 1998. Izet Haxhia përfiton 4 vjet heqje lirie më pak se në dënimin e parë të dhënë ndaj tij në vitin 2002.
Gjykata e Tiranës e dënoi për herë të dytë Izet Haxhinë me 21 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e ish deputetit demokrat Azem Hajdari më 12 shtator 1998.
Në vendimin e shkurtuar të gjykatës thuhet se trupa gjykuese vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Izet Haxhia për kryerjen e veprës penale te “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Togat e zeza urdhërojnë që vuajtja e dënimit prej 21 vitesh burg duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Izet haxhia duket se do të përfitojë shkurtimin e kohës që qëndrimit në qeli në vazhdim pasi në kohën e vuajtjes se dënimit gjykata kërkon të llogaritet edhe afati i qëndrimit te tij në arrest me burg si dhe pjesa e kohës së privimit të lirisë duke vuajtur dënimin e parë.
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, për llogari të Interpol Tiranës pasi ishte dënuar në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit. Në prill 2002 gjykata e Tiranës dha ndaj tij dënimin me 25 vjet heqje lirie ndërkohë që edhe apeli la në fuqi këtë verdikt.
Pas arrestimit në Turqi, Izet Haxhia pretendoi se i rrezikohej jeta nga kthimi në Shqipëri por në maj të vitit 2018, me lejen e gjykatës së lartë të shtetit turk ai u ekstradua në tiranë ku gjykata pranoi kërkesën e tij për rihapjen e çështjes ndërsa tre gjyqtarët e krimeve të rënda, Dhimitër Lara, Nure Ndreni dhe Sokol Binaj vendosën të anulonin dy vendimet që kishin dënuar haxhinë më parë.
Pas kësaj faze të procesit, në gjykatat shqiptare u zhvillua një maratonë seancash ndaj Izet Haxhisë i cili në fund është shpallur sërish fajtor duke përfituar një dënim 4 vjet më të ulët se i pari.