Denoncoi për ryshfet zv/ministrin e Kurtit, arrestohet pas dy jave për kanosje të Duda Baljes

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka denoncuar në Polici se është përballur periudhën e fundit me presion, ngacmime e kërcënime nga një 42-vjeçar.

Gazeta Sinjali mëson se ai është Binak Sylaj, i cili pas shqetësimeve të Baljes është arrestuar nga Policia.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë dhe në ndërkohë është kërkuar dhe aprovuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Kush është Binak Sylaj?

Binak Sylaj, një qytetar i Kosovës që jeton në Zvicër, në nëntorin e vitit të kaluar, e pati akuzuar për ryshfet Almir Velijin, zëvendësministrin në Qeverinë e Albin Kurtit. Ai këto akuza i pati bërë publike në profilin e tij në Facebook.

“Zotëri, zv. Ministër, unë ju bëra ftesën me kërkesën tuaj për ta vizituar Zvicrën. Unë morra të gjitha garancitë dhe bëra deponi të të hollave që ju të pajiseni me Vizë. Unë ju pagova biletën e udhëtimit. Unë ju prita në aeroportin e Baselit dhe ju dërgova deri tek Hoteli në Cyrih. Unë ju bëra rezervimin e hotelit, mirëpo hotelin e paguat ju vetë, vetëm kjo është e vërteta! Unë ju kam shëtitur në Cyrih, ju kam nxjerr në drekë dhe për kafe. Paraqitjet e juaja që i bëni, a keni harruar se unë ju bleva tre palë kostume, këpucë dhe kravata? A keni harruar, drekat dhe kafet në Kosovë? A harruat, kur ju kam dërguar para për Wsterunion. Harrove që ti dhashë në CHE Bar, 3500 € të mbështjella në një qese? Kishe shumë nevojë për shkak të borxheve që kishe për ti kthyer që kishe vjedhur nga subjekti yt politikë”, ka shkruar ai në profilin e tij, transmeton Gazeta Insajderi.

“Kur një ditë të ballafaqova dhe të thash se je i përfshirë në ryshfet lidhur me grantet dhe anulimin e aplikuesve për grante, aty përfundojë çdogjë mes nesh. E para përshkak se, ke shfrytëzuar çdo të mirë njerëzore nga unë, e dyta përshkak se shfrytëzonë detyrën dhe veturën zyrtare, mbushjet e kartelave të valës dhe shumë send tjetër. Kurrë mos akuzo askënd për shpifje apo gjë tjetër, e vërteta është kjo. Unë nuk shantazhohem KURRË”, ka shkruar tutje ai.