Dëshmitarja thotë se zyrtari i Policisë i akuzuar për korrupsion nuk e dinte se ishte nën vëzhgimin e kamerave

Prishtinë- Zyrtarja e lartë e prokurimit në Policinë e Kosovës, Sabide Beqiri njëherësh edhe ish-kryetarja e komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante” në PK,  ka deklaruar se i akuzuari Jeton Menxhiqi nuk e ka ditur se janë nën vëzhgim të kamerave kur kishin rishikuar specifikacionet e operatorit ekonomik “Artius Group”.

Një deklarim të tillë, dëshmitarja  Beqiri e ka bërë të enjten, në seancën e shqyrtimit kryesor , në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Beqiri po ashtu ka deklaruar se në vendin ku punonin, i akuzuari Menxhiqi në kohën e pauzës e kishte lutur që të qëndronte në zyre me arsyetimin se ishte vapë e madhe, e që kjo e kishte lejuar me lejen e zv.Drejtorit Enver Hyseni.

Ajo ka thënë se atë ditë kur i akuzuari Menxhiqi ka kërkuar që të qëndroi në zyrën ku bëhej vlerësimi i mostrave të kostumeve lidhur me tenderin “Furnzim me rroba elegante”, kishte pasur një çantë me vete gjë që për ditët tjera të punës dëshmitarja mohoi që ai e ka pasur ndonjë çantë.

“Po ka pas çantë, kur ka hyrë e ka lanë në karrige me një qoshe, por atë çantë nuk e besoj që e ka pas edhe ditëve tjera, nuk jam e sigurt por për at ditë për datën 8 po jam e sigurt që e ka pas ” tha dëshmitarja Beqiri.

Tutje, ajo ka deklaruar se i akuzuari Menxhiqi kishte kërkuar që të bëhet rishikimi i vlerësimit  i të gjithë operatorëve ekonomik me arsyetimin se mos është bërë ndonjë lëshim apo gabim.

 

Sipas dëshmitares, Beqiri këto mostra ishin rishikuar sërish dhe se atë ditë këto mostra kishin qenë nën vëzhgim të kamerave dhe siç tha ajo kishin shkuar bashkë me të akuzuarin Menxhiqi për t’i rishikuar nëse është bërë ndonjë gabim në specifikacionet e kostumeve.

“Jetoni në vëzhgim të kamerave ka hapur kutinë që ka qenë më e afërta dhe ka lexuar përmbajtjen e materialit të operatorit ekonomik numër 8 siç, e keni pa në media ka qenë e para shumë afër dhe kur e ka lexu përmbajtjen thotë kam lexuar gabim se përmbajtja që e kam lexuar nuk është e njëjta”, ka thënë ajo.

Sipas dëshmitares Beqiri, pasi ishte përmirësuar përmbajtja e operatorit ekonomik me numër 8 e që ishte operatori “Artius Gropu”, sipas Beqirit kishte ardhur edhe anëtari Naim Lahu i cili kishte kundërshtuar përmirësimin e gabimeve pa prezencën e tij.

Sipas saj, anëtari Lahu ishte ankuar por që zv.Drejtori i kishte thënë se këto mostra nuk janë larguar nga zyra e vëzhgimit të kamerave dhe kanë qenë aty me besimin askush nuk i ka prekur.

Fillimisht dëshmitarja Beqiri ka deklaruar se i akuzuari Menxhiqi kishte kërkuar rishikimin e specifikacioneve të të gjithë operatorëve pa përjashtim.

Por që më pas prokurorja Sadiku e ka ballafaquar me deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori ku Beqiri kishte thënë “ at ditë ka ardh Jetoni dhe me ka kërkuar që ta rishikojmë edhe njëherë mostrat e operatorit ekonomik “Artiues” me arsyetim se kemi mundur ta bëjmë ndonjë gabim”.

Lidhur me këtë deklaratë të saj dëshmitarja Beqiri, ka thënë se i akuzuari Menxhiqi kishte thënë jo vetëm për operatorin ekonomik numër 8 por edhe për operatorët tjerë.

Ndryshe në fillim të seancës është dhënë fjala hyrëse nga palët, e më pas i akuzuari Menxhqi sërish është deklaruar i pafajshëm.

Seanca e sotme është ndërprerë, vazhdimi i dëgjimit të dëshmitares Beqiri është caktuar me 5 tetor 2021.

Ndryshe, pas një muaji e gjysmë të transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në prokurimin e Policisë së Kosovës, ku ishte përfshirë zyrtari policor Jeton Menxhiqi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2019, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnzim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730.000,00 euro, pasi komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bënë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group SHPK”, që ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 08.08.2017, në ora 12:42, derisa ishte duke qëndruar në një zyre me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Gropu”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506.216.20 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në IPK, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyeton veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit.

Ndërsa, prokuroria është e bindur se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit ë jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.