Gazetari boshnjak, Jasmin Mujanovic ka njoftuar se ka dështuar përpjekja ruso-serbe për ndërprerjen e mandatit të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë.
Përmes një cicërime në Twitter, Mujanovic tha se mandati i EUFOR-it është zgjatur zyrtarisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Mandati i EUFOR-it në Bosnjë është zgjatur zyrtarisht në KS të OKB-së, por Rusia me sukses ia bllokoi Schmidt-it paraqitjen e raportit të tij, ndonëse ai (raporti) u dorëzua formalisht në këtë organ. Tani fokusi duhet të vendoset te kundërshtimi i dredhive ushtarake në rritje të Dodikut për ndarje”, shkroi Mujanovic.
Gazetari boshnjak, në muajin tetor, pati paralajmëruar për planet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për destabilizimin e rajonit si dhe për tentimin e ndërprerjes së mandatit të të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë.
“Vuçiq do të vazhdojë të nxisë tensionet me Kosovën për pjesën e mbetur të tetorit, madje mund të përshkallëzohet situata nga këtu. Por, duhet pasur parasysh lojën tjetër të madhe: Rusinë mund ta prishë mandatin e EUFOR -it në Bosnje dhe Hercegovinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nëntor. Dodik tashmë është i gatshëm për një krizë të sigurisë”, ishte shprehur Mujanovic.
Ai pati theksuar se Bosnja dhe Hercegovina është shteti i radhës të cilin Vuciq do të tentojë ta fusë në krizë.
“Siç thashë, akti tjetër është mandati i EUFOR -it i BiH -së në Nëntor. Ka të ngjarë të ketë edhe më shumë trazira në Kosovë (dhe ndoshta Malin e Zi) deri atëherë, por Bosnja dhe Hercegovina është caku i radhës. Komuniteti ndërkombëtar dhe eksponentët e politikës vendore kanë disa javë kohë për t’u kundërpërgjigjur. Bëhuni bashkë”, shkroi Mujanovic.