Detaje nga incidenti në rrugën ‘B’ – Kush janë dy personat që përfunduan në ndalim policor

Dje rreth orës 18:50 në rrugën ‘B’ në kryeqytet ka ndodhur një aksident trafiku, i cili ka pasuar me një incident mes disa personave. Më të keqen e parandaloi ndërhyrja e Policisë, të cilët kanë arritur që të vënë situatën nën kontroll dhe të arrestojnë dy personat e dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se Policia ka prangosur njërin nga shoferët e përfshirë në aksident, Fidan Gashi 35-vjeçar dhe Lindrit Gashin që ‘i doli’ në ndihmë, 33-vjeçar.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Patrulla e Policisë së Kosovës kishte dalë në vendin e ngjarjes pasi kanë marrë informatën se ka ndodhur një aksident në komunikacion. Aty kishin hasur dy palët e përfshira, shoferët Fidan Gashi dhe D.B.

Teksa po kryheshin ekzaminimet e nevojshme, në vendin e ngjarjes ka ardhur një person tjetër i cili nuk ishte i përfshirë në ngjarje, S.B., i cili ka nisur të bisedojë me Fidan Gashin.

Kjo bëri që nga matanë rrugës të vijë me vrap i dyshuari tjetër, Lindrit Gashi, i cili dyshohet se e ka sulmuar fizikisht S.B., dhe më pas ka filluar përleshja mes tyre.

Me të parë se situata ka dalë jashtë kontrollit, zyrtarët policorë kanë ndërhyrë menjëherë me ç’rast kanë arritur që të lokalizojnë të dyshuarit dhe t’i arrestojnë ata.

Dy të rinjtë e familjes Gashi janë shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Sulm’.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kujtojmë se rastin dje e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.