Detaje të reja nga rrëmbimi dhe vrasja e 14-vjeçares në Maqedoni, si iu dështoi plani autorëve?

I ftuar në A2 CNN, në Ditarin e orës 17:30, gazetari Abedin Ismajli ka treguar detaje nga ngjarja makabre që ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, por jo vetëm, rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares. Me gazetaren, Bruna Çifligu, Ismajli ka treguar planin e ndërthurur nga autorët, duke thënë se ishte menduar ndryshe, por se situata iu doli nga kontrolli.

“Nuk ka arritur te realizimi i planit, plani ka qenë që të rrëmbehet vajza dhe pastaj të kërkohen para prej të ëmës, dhe në këtë plan ka qenë dhe babai, por nuk ka shkuar kështu, sepse 2 orë pas rrëmbimit vajza është vrarë dhe motivet e vrasjes janë të panjohur, pra në orën 7:20 vajza është rrëmbyer dhe 2 orë më vonë është vrare dhe trupi i pajetë është gjetur i varrosur, njësoj si i moshuari.

I përfshirë në këtë skenar ka qenë edhe babi, ku gazetari Abedin Ismajli ka treguar rolin e tij.

“Ka siguruar kohën dhe terrenin kur vajza del nga shtëpia, kur ka qenë e vetme, kjo është terrorizuese për opinionin publik. Mendohet se gruaja e tij ka pasur një sasi më të madhe parash dhe ka menduar se kjo është mënyra e vetëm, por nuk e ka menduar dështimin e planit dhe të vritet vajza e tij, nëna e vajzës jeton ende me bashkëshortin, që është vrasësi i vajzës së saj.

Trupi i adoleshentes qe ishte zhdukur që prej 27 nëntorit pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë, u gjet ditën e diel në Shkup. Lidhur me të dyja rastet janë të dyshuar pesë persona dhe për tre prej tyre është caktuar masa e paraburgimit, njëri ndodhet në arrati jashtë shtetit. Mes të ndaluarve është edhe babai.