Dhuratat, paratë e fituara në bixhoz dhe apartamentet e gjyqtarëve që fjetën në shtëpinë e mafiozit të Camorras

Gjyqtarët e Apelit në Durrës Kliton Spahiun, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, janë dënuar me nga dy vite burg për korrupsion, për një udhëtim të tetorit 2014 drejt Spanjës, për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madridit dhe Barcelonës me shpenzimet e një biznesmeni shqiptar, Namik Sadikut, për të marrë një vendim gjyqësor në favor të tij.

Nga hetimet e kryera Kliton Spahiun dhe Petraq Dhimitri kanë fjetur tre net në shtëpinë e italianit të Camorras, Ferdinando Muollo, të dënuar si porositës i vrasjes së ish-ortakut të tij në shtetin fqinj, të cilit katër ditë më parë në Shqipëri, autoritetet ligjzbatuese i sekuestruan 750 mijë euro pasuri. Petrit Çeno është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Vetingut për shkak të problemeve të rënda me pasurinë. Ndërkaq, Report Tv zbardh ekskluzivisht pasurinë e deklaruar të dy gjyqtarëve të tjerë, Spahiut dhe Dhimitrit, të cilët tashmë nuk janë më pjesë e drejtësisë, për shkak të dënimit. Gjyqtari Kliton Spahiu deklaron disa apartamente, zyra, gjysmën e një apartamenti dhuratë si dhe shumat 4 246 USD dhe 485 100 lekë të fituara, sipas tij, në lloto sportive. Paratë e fituara në bixhoz i deklaron në vitin 2013.

Ndërkaq, në deklaratën e parë të pasurisë të vitit 2003, deklaron apartament 83 m2, me vlerë 4.1 milionë lekë, truall 300 m2, 27 % të një apartamenti tjetër me vlerë 3 milionë lekë, makinë me vlerë 300 mijë lekë si dhe aksione tek Uzina ‘Dajti’. Në vitin 2004, deklaron bono thesari në vlerat 550 000 lekë, 450 000 lekë, 100 000 lekë, 41 188 lekë, 264 000 lekë, 7 mijë USD cash, shitje makine 300 000 lekë, pagën e tij 755 500 lekë si dhe pagën e bashkëshortes 1 153 722 lekë. Në vitin 2005 blen zyrë 25 m2 me vlerë 12 mijë euro, ndërsa në vitin 2006 blen apartament 1 +1 në Tiranë me vlerë 26 mijë USD, ndërsa deklaron depozitë 900 000 lekë dhe 6 500 euro cash. Në vitin 2008 blen një njësi shërbimi me 29 m2 me vlerë 3 500 000 lekë. Në këtë vit, jep një zyrë dhe një apartament me qira. Në vitin 2011 deklaron blerjen e një apartamenti me sipërfaqen 208 m2, me vlerë 20 800 000 lekë, ku deklaron 40 % të pjesës. Po gjatë këtij viti, Kliton Spahiu thotë se i ka dhuruar babai gjysmën e një parlamenti, ku personalisht ka 50 % të pjesës.

Në vitin 2012 blen makinë 400 000 lekë, ndërsa në vitin 2013 deklaron se ka fituar në lloto sportive shumat 4 246 USD dhe 485 100 lekë. Po gjatë vitit 2013, Kliton Spahiu deklaron se i ka marrë motrës 1 400 000 lekë hua, babit 600 000 lekë hua, një shoku 700 000 lekë dhe një tjetër shoku 700 000 lekë. Duke se këto para i ka marrë për të shlyer shumën 4 600 000 lekë për apartamentin e blerë rreth 200 mijë USD. Në 2014, bashkëshortja e gjyqtarit Albana Spahiu deklaron ¼ e një apartamenti 2+1. Në 2018, gjyqtari deklaron llogari dhe depozita në shumat, 23 600 euro, 1 035 euro, 67 364 lekë, 16 364 lekë, 47 424 lekë, 1 880 lekë, 16 203 lekë, 200 000 lekë, 176 000 lekë, 3 500 lekë, pagën 1 236 353 lekë, të ardhura të bashkëshortes si notere 4 733 213 lekë, të ardhura të vajzës 4 mijë euro dhe 255 260 lekë dhe të ardhura nga qiraja e zyrës 120 000 lekë.

Petraq Dhimitri

Referuar deklaratës së pasurisë, Petraq Dhimitri deklaron se në vitin 2009 ka blerë një apartament 1+1 për vetëm 2.2 milionë lekë. Nuk jepen të dhëna për sipërfaqen dhe vendin e apartamentit, por nuk mund të mos krijojë dyshime çmimi i ulët. Po gjatë këtij viti, Dhimitri deklaron shitjen e një automjeti me vlerë 700 000 lekë si dhe 1 000 000 lekë kursime nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Në vitin 2010, deklaron blerjen e një makine me vlerë 1 000 000 lekë. Gjyqtari i dënuar deklaron çdo vit kursime deri në 1 000 000 lekë, por në vitin 2015 deklaron 2 000 000 lekë kursime, ndërkohë që të ardhurat e deklaruar janë 1 256 534 lekë pagën e tij si dhe 1 535 511 të ardhura të bashkëshortes. Në vitin 2017, deklaron blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë, me sipërfaqe 101 m2, tashmë me vlerë 78 mijë euro. Në deklaratën e fundit të pasurisë së vitit 2018, Petraq Dhimitri deklaron shitjen e një makine tip benz me vlerë 650 000 lekë si dhe 825 000 lekë kursime nga pagat.