Arkëmorti me trupin e pajetë të Kryepeshkopit Anastas mbërriti në tokën shqiptare mëngjesin e djeshëm përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.
Pasi aty u zhvillua një ceremoni nderimi, arkivoli iu drejtua Gjirokastrës ku u kryen homazhe në kishën ortodokse me pjesëmarrjen e dhjetëra besimtarëve. Më tej rreth orës 16.00 arkëmorti ka mbërritur në Tiranë. Besimtarët janë mbledhur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për homazhe në nderim të kreut të Kishës Ortodokse, i ndarë nga jeta në spitalin “Evangelismos” në Athinë, mëngjesin e së shtunës. Kambanat e vajit vijuan të binin gjatë gjithë kortezhit ndërsa besimtarët e shumtë e pritën arkëmortin me lule dhe degë dafine të cilat simbolizojnë paqen dhe mirësinë.
HOMAZHET
Homazhet në nderim të Kryepeshkopit Anastas do të zgjasin 2 ditë. Në homazhe do të marrë pjesë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i shoqëruar nga 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar. Gjithashtu, pjesëmarrëse do të jenë të gjitha mitropolitë e vendit; përfaqësues nga ambasadat e huaja në vendin tonë; delegacion i nivelit të lartë nga Vatikani; përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare; Patriku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros; përfaqësues nga nivelet e larta nga Kishat e Krishtera në mbarë botën. Pjesëmarrëse do të jenë të gjitha mitropolitë e vendit, përfaqësues nga ambasadat e huaja në vendin tonë, delegacion nga Vatikani, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, Patriarku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros si dhe përfaqësues nga nivelet e larta nga Kishat e Krishtera në mbarë botën.
Ceremonia mortore dhe përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e enjte, 30 janar, prej orës 11.00.
Në nderim të Anastasit u shpallën 5 ditë zie kishtare. Ndërsa në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh mitropoliti i Korçës, Imzot Joani. Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist.
Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Patriku i Kostandinopojës në janar të vitit 1991, ku punoi për rilindjen e kishës që ishte shkatërruar gjatë 40 viteve persekutimi nga regjimi komunist. Ai ia dedikoi jetën rindezjes së shpirtit misionar të Kishës Ortodokse dhe pas më shumë se 30 vitesh në Shqipëri, duket se ai e arriti qëllimin e tij. Jeta e Kryepeshkopit Anastas dhe puna e tij mund të përmblidhen në vetë fjalët e tij: “Ky është kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbulojë kush është në të vërtetë. Është një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qenë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik. Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin”.