Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç teksa ndodhen në Ohër në kuadër të samitit për “Open Balkan” , kanë prezantuar projektin e urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin.
Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit tha se ura do të shkurtojë një distancë shumë të madhe dhe do të ketë një gjatësi prej 310 metra. Kostoja është vlerësuar të jetë 9 milion euro.
Kryeministri Rama sqaroi se në gusht përfundon projekti i detajuar, ndërsa theksoi se kjo është fryma e “Ballkanit të Hapur”.
“Ky është projekti dhe në fund do të përfundojë i detajuar. Pas projektit të detajuar do të ulemi sëbashku menjëherë. E kam fjalën Fondi Shqiptar i Zhvillimit me agjencinë tuaj. Kjo është fryma e Ballkanit të Hapur. Pres me padurim të vij t’ju vizitoj në Malin e Zi me shpresë brenda korrikut dhe në gusht për t’ju dorëzuar projektin”, tha Rama.
Ndërkaq, kryeministri malazez Dritan Abazoviç u shpreh i lumtur për projektin. Sipas tij ndërtimi i kësaj ure do të sjellë zhvillim për të dy qytetet në dy anët e Bunës.
“Jam shumë i lumtur për këtë projekt. E kemi diskutuar në Tiranë verën e kaluar dhe tani jemi shumë pranë fillimit të punës konkrete. Kjo zonë mund të jetë një zonë shumë tërheqëse turistike në të ardhmen.