Në një draft-statut të publikuar të hënën (30 janar) nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashikohet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.
I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parashikon mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
Për krijimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që zhvillohet në Bruksel.
Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova, deri më tani, nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti, në disa raste, ka përsëritur se në Kosovë nuk mund të formohen asociacione njëetnike.
Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.
“Ky është një projekt i pragmatizmit politik, sepse ne kemi menduar se do të vijë koha kur do të ishte i nevojshëm statuti i Asociacionit”, tha ai.
Çfarë parashikon draft-statuti?
Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashikohet të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.
Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.
Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat, siç thuhet, janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Në draft-statut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sa i takon strukturës organizative, neni 6 parashikon që Asociacioni të ketë: kuvendin e Asociacionit, kryetarin e Asociacionit, nënkryetarin e Asociacionit, këshillin e Asociacionit dhe bordin e Asociacionit.
Neni 15 parashikon që Asociacioni të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës në shkëmbimin e informacioneve, në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit, bazuar në sistemin ligjor të Kosovës.
Sa i takon rregullimit ligjor, neni 16 parashikon që Qeveria e Kosovës, përmes një akti juridik, t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik.
“Kjo përfshin të drejtën e zotërimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme” dhe të “bashkëpronësisë së shoqërive që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit”.
Shpenzimet e Asociacionit parashikohet të jenë subjekt i auditimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës.
Sa i takon financimit, sipas dokumentit në fjalë, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.
Sipas draft-statutit, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.
Qeveria dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës parashikohet që të kenë qasje në rishikimin e buxhetit vjetor të Asociacionit, përpara se ai të miratohet.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për të komentuar draft-statutin e prezantuar nga organizata gjermane.
Para publikimit të tij, zyrtarë të partisë në pushtet -Lëvizjes Vetëvendosje – u takuan me zotin Schlee.
Në komunikatën dërguar mediave u tha se në këtë takim “u ritheksua qëndrimi i LV-së [Lëvizjes Vetëvendosje] kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”.
“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese”, u tha po ashtu në komunikatë.
Deri më tani, nuk ka komente as nga Beogradi, por kur Friedrich-Ebert-Stiftung ka paralajmëruar publikimin e draft-statusit rreth dhjetë ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se kjo nuk është punë e organizatave joqeveritare.
Publikimi i draft-statutit ndodh vetëm një ditë para se Ambasada amerikane në Prishtinë të organizojë një diskutim me përfaqësues politikë, qeveritarë dhe të shoqërisë civile për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /REL