Ish-shefi i diplomacisë serbe, Vuk Drashkoviq, ka thënë se argumenti më i zakonshëm që përdoret në Serbi për të qenë në krah të Rusisë është se ky vend “mbron Kosovën dhe është kundër pavarësisë së Kosovës”.
Por një gjë e tillë, sipas tij, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, është i pavërtetë.
“Njerëzit në Serbi janë viktima të atyre të pavërtetave themelore që propaganda i ka shndërruar në mite thuajse kulte kombëtare. Por që Rusia mbron Kosovën është e pavërtetë. Një ditë pas kapitullimit (me marrëveshjen e Kumanovës), rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me votën pro të Rusisë, e privoi Serbinë nga integriteti dhe sovraniteti i saj territorial dhe duhej të tërhiqte të gjitha simbolet e saj të shtetit”, ka thënë Drashkoviq.
Këtë deklaratë dhe të tjera, ai i ka bërë derisa është deklaruar rreth pozicionit të Serbisë në raport me agresionin rus në Ukrainë.
Në këtë kontekst, ai ka kujtuar se sipas Rezolutës 1244, bisedimet për statusin e Kosovës janë mbajtur në Vjenë në vitin 2006.
“Unë kam qenë ministër i Jashtëm, Serbia përfaqësohej nga Boris Tadiq dhe Vojisllav Koshtunica. Ndërmjetësi ishte i dërguari special Martti Ahtisaari. Me zërin e Rusisë, ai duhej t’i përmbahej katër parimeve në Vjenë: e para – mos kthim i Serbisë në Kosovë, mos kthim në situatën para miratimit të Rezolutës 1244, së dyti – mos ndarje e Kosovës, e treta – jo bashkim me Shqipërinë dhe së katërti – shqiptarët duhet t’i garantojnë të drejtat maksimale popullit serb dhe të mbrojnë në maksimum trashëgiminë kulturore serbe”, ka shpjeguar ai.
Drashkoviq thotë se Rusia votoi për të katër parimet, por në momentin kur do të miratohej propozimi i Ahtisaarit, vuri në pah ai, Rusia “ishte në kërkim të tregtisë”.
“Ata thanë – ne i mbështesim të gjithë, me kusht që Abkhazia, Osetia dhe Transnistria të marrin të njëjtin status. Në vërejtjen se rusët votuan si në Grupin e Kontaktit ashtu edhe në Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ata u përgjigjën – ky ishte interesi ynë atëherë, tani është ky”.
“Ukraina nuk ishte në lojë atëherë”, ka theksuar më tej Drashkoviq.
Dhe sipas tij, rasti i Kosovës nuk është precedent.
“Putini e di se ai po përdor diçka që nuk është për krahasim, por ai supozon se te disa njerëz dhe shtetarë i jep atij një alibi dhe justifikim për këtë agresion të tmerrshëm”.
Madje sipas Drashkoviq, Putini “do të vazhdojë ta ‘mbrojë’ Kosovën duke vënë veton ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata, deri sa (vendet tjera) ta njohin pavarësinë e Donbasit”, dhe kur ta njohin këtë, “ai do ta pranojë statusin e Kosovës në OKB”- tha ai.