Sonda hapësinore e NASA-s, Curiosity, ka shkrepur një foto që tregon një strukturë të çuditshme nga sipërfaqia e planetit të kuq, dhe një eksperte thotë që është më e pazakonta që ka parë deri më tani.
Pamjet e shkrepura nga roboti, që ka përmasat e një makine, duket se shohin disa maja që dalin nga një shkëmb i shtrirë në bazën e kraterit Gale, i cili është 154 km i gjatë.
Krateri Gale mendohet se 3.5-3.8 miliardë vite më parë ka qenë liqen në Mars.
Fotot janë shkrepur më 1 prill dhe kanë shkaktuar jo pak reagime online, për atë që mund të “fshihet” pas tyre.
Disa e kanë krahasuar strukturën me një kockë peshku ose degë bredhi, dhe thonë se do të ishte shumë e vështirë që të cilësohej si një formacion natyror shkëmbor këtu në Tokë
Curiosity ndodhet në kraterin Gale që nga gushti 2012 si pjesë e misionit të NASA-s në Laboratorin e Shkencës në Mars.
Astrobiologia Nathalie A. Cabrol ndau një foto në Twitter, duke komentuar se “në 20 vite që studion Marsin, ky është shkëmbi më i çuditshëm që ka parë ndonjëherë”.
Pavarësisht spekulimeve, disa besojnë se bëhet fjalë për shkëmbinj të gërryer nga erërat në mars.