Fadil Geci nuk ka arritur ta identifikojë me emër dhe mbiemër Komandantin e UÇK-së, heroin Mujë Krasniqin.
Në një fotografi që i është shfaqur nga Prokuroria e Specializuar gjatë dëshmisë së tij në Hagë të martën, Fadil Geci tha se ia ka harruar emrin Komandant ‘Kapuçit’.
“Këtë fotografi e kam parë për herë të parë te ju. I njoh, disa prej tyre. Numër 5 është Rexhep Selimi, numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2 është Kapuçi, një hero i Kosovës. E njoh me këtë nofkë si Komandant Kapuçi. Ai është hero, por emri nuk po më kujtohet”, tha ish-pjesëtari i UÇK-së që ka nisur dëshminë e tij në Hagë kundër krerëve të UÇK-së.
Prokuroria e Specializuar e ka pyetur Gecin edhe për një fotografi tjetër, e cila i shfaqte disa ushtarë të tjerë të UÇK-së.
Në këtë fotografi, ai ka thënë se i njeh vetëm dy prej ushtarëve.
“Po, dy vëllezërit Jashari i njohë mirë dhe ua kam njoftë babën. I pari me mjekër është Sahit Jashari, ndërsa ky në kambë me mustaqe është Musë Jashari. Këta tjerët nuk po i njohë”, tha ai.
Fadil Geci, pjesëtar i familjes Geci nga Llausha e Skenderajt, ka 26 vite që kërkon drejtësi për Komunikatën Nr. 59 të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, e lëshuar 26 vite më parë, e cila e akuzon Gani Gecin si kolaboracionist dhe vrasës të ish-ushtarit Abedin Rexha.