Një prej rasteve më interesante gjatë faljes së gjaqeve që e kujton prifti Don Lush Gjergji, është falja e gjakut nga dy motra të pamartuara të vëllait të tyre hasret. Në rrëfimin për Pressing, Gjergji ka rrëfyer për faljen e gjakut nga dy motrat më 1 maj 1990 te Verrat e Llukës.
Gjergji ka thënë se e kishte pasur rastin të bisedojë me motrat dhe e kishte kuptuar se ato ishin përbetuar për të mos e falur gjakun, por sipas tij, kur e kishin parë atmosferën që ishte krijuar kishin vendosur ndryshe.
“Ato ishin përbetuar, nuk do të martohemi pa e nxjerrë gjakun dhe në momentin e caktuar, ato kur e shohin këtë atmosferë, vijnë. Ishin dikund 35-40 vjeçare ajo më e reja, tjetra edhe më e vjetër, por nga dhimbja e vuajtja e malli ishin të shëmtuara. Nuk e kishin pamjen e femrave për atë moshë. Njerëzit përreth nesh, i ndalnin e u thoshin jo, unë hetova që ato po vijnë, dhe i thashë baca Anton, a po më lejon të dalë t’i marr”, ka thënë Gjergji.
Gjergji ka shpalosur edhe detaje nga biseda që e kishte pasur me ato.
“Ata thanë Don Lush Gjergji, jemi dy motra të pamartuara, të betuara që do ta nxjerrim gjakun e vëllait. Sot kemi kuptuar diçka që s’e kemi ditur, që paskemi shumë vëllezër. Dul njana prej tyre, porosia ishte fenomenale. Ajo tha e humbëm një vëlla dhe gjetëm në popullin tonë 10, 1000, një milion vëllezër”, ka rrëfyer Gjergji.