Personi me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak i Komunës së Rahovecit, e ka pranuar para hetuesve policorë dhe prokurorit të rastit se ka vrarë dhe më pas ka djegur trupin e vëllait të tij, me inicialet B.K. i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij më 14 shkurt të këtij viti.
Sipas prokurorisë, i dyshuari e ka përshkruar në hollësi mënyrën se si ka vepruar në ditën kritike. Ndërsa, motivi i vrasjes dyshohet të jetë përfitimi material.
Gazeta Sinjali mëson nga burime të sigurta brenda Prokurorisë Themelore të Gjakovës, se i dyshuari ishte në dijeni se viktima posedon një shumë të madhe parash dhe sipas hetimeve të para motivi i vrasjes ishte për t’ia marrë paratë.
“Dyshohet që përveç mosmarrëveshjeve në mes të të dyshuarit dhe viktimës, motivi mund të jetë edhe për shkak të një shume të madhe parash të cilēn e ka poseduar viktima, pra përfitimi material”, thanë burimet e Gazetës Sinjali.
Poashtu Gazeta Sinjali mëson se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur 35 mijë franga dhe 8 mijë euro.
Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë.
Bëhet e ditur se është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhoje e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit.