Prej 18 muajsh senatori zviceran, Dicka Marty, është nën mbrojtje policore. Kjo pasi jeta e tij është në rrezik si rezultat i një paralajmërimi nga dhjetori i vitit 2020 se është vënë nën shënjestër të shërbimeve të inteligjencës serbe për ta vrarë.
Siç është potencuar edhe më parë, 77 vjeçari, nuk guxon të dalë nga shtëpia pa jelek antiplumb dhe është në mbrojtje të rreptë policore, pasi shërbimi sekret zviceran ka marrë informacione se shërbimi sekret serb ka parapaguar vrasës për prokurorin liberal që hartoi raportin kundër UÇK-së.
Lidhur me rastin e Martyt, “Amnesty International” ka dalë me një kërkesë ndaj autoriteteve zvicerane, duke iu bërë thirrje që të punojnë më shumë për sigurinë dhe mbrojtjen e Dick Martyt.
“Qeveria zvicerane nuk ka marrë hapa të rëndësishëm diplomatikë për të përmirësuar mbrojtjen ndaj shtetasit të saj,” shkruan mes tjerash Amnesty International.
“Është detyrë e një shteti ligjor, “që të përdorë të gjithë hapat juridik dhe diplomatik”, për të mbrojtur shtetasit e saj, thotë mes tjerash edhe Alexandra Karle (55), udhëheqësja e seksionit zviceran nga Amnesty International, shkruan Blick.ch.
Edhe vetë Marty e ka pranuar se pas përpjekjes për vrasjen e tij qëndrojnë strukturat shtetërore serbe, kurse e vetmja që mohon këtë, është ambasada serbe në Zvicër.