Reagime të forta në Turqi shkaktoi fotosesioni që një modele bëri nën instruksionet e regjisorit Bilal Kisa në xhaminë më të madhe dhe më të rëndësishme të Ankarasë.
Ajo që zemëroi turqit ishte veshja e modeles së re, e cila u konsiderua e papërshtatshme për një grua në një xhami.
Siç shihet në fotot e postuara në Instagram – por më vonë të hequra pas reagimit të ashpër – modelja mban veshur një bluzë të bardhë që ekspozon mesin e saj, një shami të bardhë, një rruzare ndërsa pozonte në xhaminë Kocatepe.
“Këto foto kapin magjinë e të kundërtave në formën e tyre më të pastër”, shkruan regjisori në tekstin që shoqëron fotot.
Pas publikimit të fotove dhe reagimeve të shkaktuara nga zyra e guvernatorit të Ankarasë, u njoftua një hetim: “Për fotot që duket se janë bërë në xhaminë e Kocatepe në qytetin tonë dhe kanë qarkulluar në rrjetet sociale, ka nisur një hetim gjyqësor dhe administrative, për fyerje të xhamisë si vendadhurimi”.
Në një postim në Instagram, regjisori reagoi duke shkruar: “Më vjen keq kur shoh që puna që bëra në Kocatepe është larguar aq shumë nga qëllimi dhe ka hyrë në rrugë të tjera. Edhe pse qëllimi im ishte të thyeja paragjykimet e atyre që nuk e duan xhaminë për të treguar se xhamia është një vend ku të gjithë gjejnë qetësi, jam i shqetësuar që unë dhe familja ime akuzohem edhe për tradhti. I kërkoj falje kujtdo që kam lënduar apo keqkuptuar”.