Njeriu që konsiderohet si trafikanti më famëkeq i drogës ka nisur një tjetër betejë për të anuluar dënimin me burgim të përjethshëm në Shtetet e Bashkuara dhe për të rifituar lirinë.
Joaquin “El Chapo” Guzman mori dënimin maksimal nga gjykata amerikane në vitin 2019 dhe që prej asaj kohe qëndron pas hekurave në burgun e sigurisë maksimale “ADX Florence”, në Malet Shkëmborë në Kolorado. Ai u shpall fajtor për trafikimin e tonelatave me kokainë nga Meksika drejt Amerikës përgjatë disa dekadave, si dhe pastrim parash.
Ish-prokurori amerikan, Gil Soffer, tha për televizionin ABC7 se kërkesa është një procedurë standarde që e përdorin thuajse të gjithë ata që dënohen me burgim të përjetshëm, por ka pak gjasa që të merret parasysh nga gjykata. “Ai po tregon që është ende gjallë, që ka ende diçka për të thënë. Por problemi është se duhet të vërtetojë që ka pasur trajtim jokushtetues ndaj tij dhe se vendimi do të kishte qenë ndryshe nëse të drejtat e tij nuk do të ishin shkelur”, tha Soffer.