E vërteta e “tigrit prej letre”, që e ‘hallakati’ politikën/ Kërkohet mbështetje ndaj Gërvallës: Po përballet me një agjendë të ulët

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla të shtunën u shpreh se pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë.

“Në raport me Ukrainën jemi në përputhje 100% me Perëndimin. Të tjerët në rajon vazhdojnë ta ndihmojnë agresionin e Rusisë që prej gati dy vitesh. Pa pasoja nga BE-ja.

Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe ajo që ne pyesim veten është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?

Mendimi im është që BE-ja nuk mundet. Të njëjtën gjë e tha para pak ditësh edhe një prej analistëve më të rëndësishëm gjermanë. Ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë.

Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit”, ka deklaruar ministrja.

Kjo deklaratë nxiti shumë reagime si nga përfaqësuesit vendor ashtu edhe nga ata ndërkombëtar.

Madje, të shumtë ishin që kërkuan edhe dorëheqjen e saj.

Statovci: Ministrja Gërvalla do duhej të ishte personi më i mbështetur në Kosovë këto momente

Image

Jeta Statovci

Duke i komentuar këto sulme, Jeta Statovci, deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, Jeta Statovci, thotë për “Bota sot” se Ministrja Gërvalla që nga marrja e detyrës është përballur me një agjendë, qëllimi i të cilës, sipas saj, ka qenë diskreditimi i saj në vazhdimësi.

Madje ajo thotë, se me Gërvallën në krye diplomacia e Kosovës për herë të parë është bërë akter serioz, derisa shprehet e bindur se në të kaluarën ka qenë më ndryshe, ku motivet e pushtetit ishin më të ulëta.

“Që në fillim të marrjes së detyrës së Ministres së Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskryeministres, Donika Gërvalla është përballur me një agjendë, qëllimi i të cilës ka qenë diskreditimi i saj në vazhdimësi. Kjo agjendë, sipas konsideratave të mia, ka një motiv më të ulët se aspekti diplomatik, bëhet fjalë për peshën e saj politike dhe elektorale e cila siç dihet, ndikon konsiderueshëm që t’i mbajë partitë e vjetra aty ku janë sot, pra në opozitë. Diplomacia e Kosovës për herë të parë është bërë akter serioz, që mbron me këmbëngulje interesat e brendshme. E kaluara ka qenë më ndryshe, motivet e pushtetit kanë qenë më të ulëta, tani janë pakrahasimisht më të larta. Bëhet fjalë për të ruajtur Kushtetutën e Kosovës, për të ruajtur funksionalizimin e saj të brendshëm, për të parandaluar çdo mundësi që Kosova të ngjasoj me Bosnjën.”, thotë ajo.

Statovci, vlerëson se Gërvalla duhet të ishte personi më i mbështetur në Kosovë aktualisht, sidomos në këto momente të vështira për vendin.

“Në botën demokratike dhe të vlerave, ka një dakordancë të brendshme që të mos përdoret diplomacia e shtetit për motive të politikave të përditshme, meqë kështu dëmtohet interesi i shtetit, aq më pak në momente të tilla ku gjendemi ne. Si e lexon këtë aktivitet opozitar pala serbe? Ata e lexojnë këtë si mundësi që të bëhen më rigid në negociata, meqë shohin se në Kosovë ka zëra që janë shumë të gatshëm të plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre, siç ka ndodhë në të kaluarën. Mendoj se Ministrja Gërvalla do duhej të ishte personi më i mbështetur në Kosovë këto momente, natyrisht, edhe të gjithë akterët tjerë që janë në proces të negociatave me Serbinë agresive”, deklaron ajo.

Bytyçi: A është Europa “tigër prej letre” në fushën e sigurisë pa NATO-n dhe SHBA-në? PO!

Image

Enver Bytyçi

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi mbështeti ministren Gërvalla.

Ai në një postim në Facebook u shpreh se është e vërtet ajo çka deklaroi Gërvalla, pasi Europa “tigër prej letre” në fushën e sigurisë pa NATO-n dhe SHBA-në.

A është Europa “tigër prej letre” në fushën e sigurisë pa NATO-n dhe SHBA-në? PO!

A duhej që Donika Gërvalla të mos e thoshte kësisoj këtë deklaratë? Duke pasur parasysh keqpërdorimin e kësaj fjale dhe se kjo do përdorej si municion nga kundërshtarët e saj, Donika kishte mundësi ta formulonte ndryshe! Pra, duhej ta thoshte ndryshe idenë e saj. Jo përmes një fabule që e keqpërdorin pasardhësit e ish- diktatorëve që e kanë përdorur këtë shprehje!

Se ne e dimë: Më mirë e ndërtojnë propagandën kundër kundërshtarëve politikë trashegimtarët e diktaturës, se sa ata që punojnë sinqerisht për demokracinë. Madje e kanë perfeksionuar atë deri te ajo që të mos kursejnë paraardhësit e tyre!”, ka shkruar Bytyçi në Facebook.