Njeriu i dytë në Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se Isa Mustafa me veprime korruptive e kishte bërë Shef të Shtetit Hashim Thaçin.
Reagimi i Bislmit erdhi pasi Kryetari i LDK’së tha se Vetëvendosje është shndërruar një organizatë që bën fushata propaganduese që do t’ia kishin lakmi edhe regjimet diktatoriale.
“Isa Mustafa asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që ka hyrë në koalicion me PAN-in dhe asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që e ka bërë, me veprime korruptive, Hashim Thaçin president. Por po shohim se e gjykon veten që e ka bërë kryeministër dikë i cili fitoi legjitimitet me zgjedhje demokratike e që ka në plan të parë luftimin e krimit dhe korrupsionit, dikë në mbrojtje të të cilit janë vënë gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit. Z. Mustafa duhet të heqë dorë nga asocimi me figurat e PAN-it, dhe duhet ta forcojë qeverinë e përbashkët LV-LDK në luftën kundër virusit”, ka raguar Bislmi.
Ministri i Financave dhe Transfereve ka folur edhe për idenë e Kryetarit të LDK’së për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se para pesë ditëve “dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme”. Në fakt, masat e jashtëzakonshme tashmë ishin duke u aplikuar dhe ato jemi duke i shtuar. Kosova është ndër vendet që i ka marrë masat më herët, dhe pa mëdyshje qeveria e ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore. Problemi qëndron te zelli i Mustafës për të kërcyer menjëherë në shpalljen e gjendjeë së jashtëzakonshme, zell ky që përputhet me ambicien e Presidentit. E, dihet pse Presidenti ka këtë ambicie: ai nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në çastet e fundit me 3 shkurt u përpoq ta parandalonte Qeverinë e re”, ka shtuar ai.
Madje, Bislmi ka folur edhe për gjuhën e Isa Mustafës i cili i quajtur disa këshilltarë të Kurtit si papagaj e kokëkrisur.
“Nuk i ka hije një anëtari të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës të përdorë shprehje të tilla si “papagaj” e “kokëkrisur”. Kjo nuk është as në frymën institucionaliste dhe as rugoviste të LDK-së me të cilën ne duam të bashkëqeverisim. Me fjalorin tonë publik ne japim shembujt për qytetarët. Bashkëpunimi ynë kërkon shembuj të mirë, jo të këqinj”, ka shtuar ai.
E, lideri i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosjes s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që mbajnë por vetëm bëjnë propagandë. Madje, ka thënë se udhëheqësit e Vetëvendosjes bëjnë fushatë që do t’ua kishin lakmi edhe regjimet diktatoriale.
Këtë reagim Mustafa e ka ndërlidh me gjendjen e fundit ku një person vdiq si pasojë e koronavirusit dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, ka shkruar Mustafa në një reagim në Fb.
Isa Mustafa kërkoi para disa ditësh të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. Këtë ide e përkrahu edhe Hashim Thaçi, President i Shtetit. Pastaj, edhe Agim Veliu. Si pasojë e kësaj Ministri i Brendshëm u shkarkua.
Lideri i LDK’së e ka gjetur gjithë fillin se pse ndodhi një situatë e tillë. Gishtin e ka drejtuar kah Albin Kurti.
“Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri”, ka konstatuar Mustafa.
Albin Kurti prej se ka hyrë në Zyrën e Kryeministrit e ka vazhduar luftën politike me Hashim Thaçin. Ditë më parë propozoi shkarkimin e Presidentit pse i njëjti kishte bërë një marrëveshje me NATO’në. Më vonë u tërhoq dhe i kërkoi takim.
Sidoqoftë, Isa Mustafa ka folur përsëri për Gjendjen e Jashtëzakonshme, duke thënë se edhe buxheti i shtetit u votua në këtë frymë.
“Vendet fqinje po aplikojnë të gjitha masat, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore.
Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3. Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri. Problemi i tij dhe i papagajëve që e rrethojnë u thjeshtëzua se kush duhet të jetë më i fuqishem, ai apo Presidenti, por jo se si te mbyllet cikli i të gjitha masave. Bile u tentua nga të krisurit e oborrit qeveritar që kjo të cilësohet si tentim për grushtshtet”, ka shkruar Mustafa.
“Sipas kësaj logjike, grushtështeti paska ndodhur në Bullgari, në Maqedonin e Veriut, në Serbi. Se kryeministri I Shqipërisë duhet shkarkuar pasi u tha qytetarëve, nga ndjenja e përgjegjësisë për të krijuar rend, se nëse sillemi keshtu s’do kemi vend ku ti shtrojmë të sëmurit e as vend ku ti varrosim. Me këtë logjikë do duhej të shkarkohet edhe Kancelarja e Gjermanise sepse “i tmerroi” qytetarët kur foli për përmasat prej 60-70 perqind që mund të ketë kjo pandemi në Gjermani. Me këtë logjikë duhet të anulohet Ligji për Buxhetin, sepse ai u aprovuar duke aluduar në situatë të jashtëzakonshme nga qeveritarët”, ka shtuar ai.