Lajmi për tërheqjen e disa trupave ruse nga kufiri me Ukrainën është parë si hap i mundshëm drejt uljes së tensioneve, por a është kjo edhe shenjë se presidenti rus, Vladimir Putin, po zmbrapset?
Profesori Sergei Radchenko nga Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në “Johns Hopkins” thotë se narracioni i Rusisë gjithmonë ka qenë se nuk është duke kërcënuar askënd dhe se trupat e saj vetëm po bëjnë ushtrime.
Ai i krahasoi taktikat e presidentit rus me “përgatitjen e supës”, ku Putini mund ta rrisë ose ta ulë temperaturën ose të krijojë tensione ashtu si i duket e përshtatshme, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
I pyetur rreth qëllimeve të Putinit, Radchenko tha se presidenti rus mund të mos e arrijë qëllimin e tij për ta parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, por, përmes rritjes së tensioneve, ai mund të sigurojë disa koncesione nga Perëndimi dhe Ukraina.
Profesori Radchenko shtoi se nëse Rusia nuk e pushton Ukrainën, vëzhguesit do të thonë se ajo është parandaluar, por, sipas tij, Rusia, në anën tjetër, do të thotë se kurrë nuk ka pasur qëllim të tillë.
Pas tërheqjes së një pjese të trupave ruse, pas Perëndimit, i cili kërkoi prova nga Moska, ka reaguar edhe Ukraina.
Sipas ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, Rusia duhet të tërheqë të gjitha forcat e saj të mbetura nga kufiri i përbashkët i vendeve.