Dyshja Miroslav Lajçak dhe Mathew Palmer erdhën në Kosovë dhe në Serbi për të kuptuar pikëpamjet e dy palëve për arritjen e mundshme të një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Vizitën e nisën në Prishtinë duke takuar krerët e lartë të shtetit dhe po të njëjtën e bënë edhe në Beograd. Por, për dallim nga takimet në Kosovë, europiani dhe amerikani në kryeqytetin serb takuan edhe udhëheqësit fetarë. Kështu nuk vepruan me ata islamikë e katolikë në Kosovë, të paktën jo në publik
Siç njoftoi selia e Kishës Ortodokse Serbe, por edhe vetë Lajçak, temat që u preken në këtë takim të politikanëve dhe priftërinjve, në Beograd, ishin më shumë politike.
“Me Palmer e kemi zhvilluar takimin e parë që ishte i dobishëm me patriarkun e ri serb. Diskutuam për pikëpamjet mbi dialogun dhe rajonin”, ka shkruar Lajçak në Twitter, përcjell Klankosova.tv.
Ndërkaq, zyra e KOS ka njoftuar se me mysafirët patën një diskutim të gjatë mbi objektet fetare serbe në Kosovë.
“Ata theksuan se janë të angazhuar në zgjidhjen e problemeve siç është çështja e pronës tokësore të Manastirit të Deçanit, ndërsa u fol edhe për kërkesën e Prishtinës për heqjen nga lista e objekteve të rrezikuara si Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, i Graçanicës dhe kisha e Zojës së Shenjtë të Ljevishit”.
“Ata (Lajçak dhe Palmer) thanë se nuk janë duke sjellë ndonjë zgjidhje apo presion, por se janë të interesuar për të diskutuar me Shenjtërinë e Tij dhe Peshkopët, me dëshirën për ta gjetur një zgjidhje të drejtë”.
Për përfshirjen në çështje politike të udhëheqësve fetarë serbë nga dy politikanët reagoi doktori i shkencave politike, Jasmin Mujanoviq, i cili është edhe njohës i mirë i problemeve të Ballkanit.
“Me të vërtetë ky ishte një vendim i tmerrshëm nga të gjithë të përfshirët. As BE-ja, as SHBA-së nuk duhet të hyjnë në biznesin e promovimit të institucioneve fetare si aktorë politikë. Një gjykim jashtëzakonisht i keq nga Lajçak dhe Palmer”, ka shkruar ai në Twitter.
Këtij postimi i ka reaguar ish-ambasadorja kosovare në SHBA, Vlora Çitaku, e cila u ankua se në Kosovë nuk pati takim me udhëheqës fetarë.
“Derisa në Kosovë ata nuk takuan ndonjë lider fetar, ose të paktën jo në publik”, replikoi Çitaku.
Por, edhe për këtë pati përgjigje shkencëtari i politikës.
“Dhe ky është skandali juaj i PR”, tha ai. “Këtë budallallëk (pra takimin me liderë fetarë për të diskutuar rreth politikës – v.j.) mund ta prisnim prej Lajçakut dhe BE-së, por administrata Biden do të duhej ta dinte më mirë”.
Çështja e objekteve fetare të kishës ortodokse serbe në Kosovë u bë një nga temat bazike të muhabeteve me rastin e ardhjes së Lajcak dhe Palmer në Kosovë e Serbi.
Kjo u bë temë e nxehtë diskutimi edhe në relacionet Kosovë-Serbi, prejse kryeministri Albin Kurti u shkroi një letër mbi 50 liderëve të shteteve të fuqishme të botës, të cilëve u tha se Kosova është në gjendje t’i ruajë të gjitha objektet fetare në vend, përfshirë ato të fesë ortodokse, me “dashuri e dedikim”. Kurti tha me këtë rast se objektet fetare që ndodhen në Kosovë u takojnë gjeneratave që ishin, atyre që janë dhe atyre që do të jenë”.
Kjo letër dhe qasja e këtillë e Kurtit ka trazuar Serbinë, përfshirë politikanët e Kishën Ortdokse Serbe. Këta të fundit ia refuzuan kërkesën për ta vizituar Manastirin e Deçanit, të bërë muajin e kaluar.