Eksperti serb i psikologjisë, Dragan Popadiç, në një intervistë për mediat serbe ka analizuar deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, dhe skenarët e frikshëm që lideri serb ka paralajmëruar.
Popadiç, profesor i psikologjisë sociale në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, u shpreh se e gjitha qëndron në ngritjen e kultit të liderit, pasi sa më e madhe të jetë gjëma që “kërcënon” shtetit dhe qytetarët, aq më e madhe është fama dhe lavdia që merr “shpëtimtari”, në këtë rast Vuçiç.
“Terrorizimi i qytetarëve ka edhe një qëllim tjetër të rëndësishëm, përveç prodhimit të një shoqërie që ka në gjenezë frikën.
Krizat krijohen që shpëtimtarët të na nxjerrin prej tyre, frikësimi shërben për të shfaqur Shpëtimtarin ose Mbrojtësin, të mishëruar këtu në imazhin e Aleksandër Vuçiçit.
Sa më e madhe të jetë kriza, aq më i rëndësishëm është roli i shpëtimtarit, kështu që rreziqet shtohen në mënyrë që shpëtimtari të dalë më i guximshëm dhe më i aftë”, ka deklaruar ai.
Popadiç ka shtuar se krijimi i “Shpëtimtarit” është në funksion të ndërtimit të një kulti të personalitetit, i cili ndërtohet edhe mbi baza të tjera, si admirimi dhe lavdërimi i vazhdueshëm drejtuar Udhëheqësit.
“Më duket se këshilltarët politikë dhe marketingu, drejtorë të krijimit të një kulti personaliteti, japin udhëzime bazë dhe më pas konkretizimi u lihet subjekteve, që përfundon në një “inskenim” të shëmtuar dhe gara qesharake në politikë.
Më duket se kështu ndodh edhe me ndërtimin e rolit të shpëtimtarit. Duket sikur këshilltarët e qeverisë aktuale po japin udhëzime bazë si psh, paraqisni situatën si të rëndë, dhe më pas ngrihet figura e atij që mund të jetë i vetmi që mund të shpëtojë vendin.
Vetëm kështu mund t’i shpjegoj ekzagjerimet përtej kufijve të, inkoherencës dhe aktrimit të keq në shfaqje të tilla”, është shprehur ai për median serbe Danas.
Përsa i përket inskenimeve, eksperti thasë Vuçiç paraqitet shpesh si një lider i cili zhvillon biseda të shumta me liderë botërorë, të cilët paraqiten si persona që vlerësojnë mençurinë e presidentit serb.
“Me sa duket, në krizat botërore, Vuçiç kalon orë të tëra duke biseduar me shtetarët botërorë, të gjithë respektojnë mençurinë dhe guximin e tij. Bën respiratorë dhe i mëson mjekët si t’i përdorin, zgjidh problemet me mungesat gjatë pandemisë… Deklaratat shpeshherë janë tragjikomike.
Ai ka komentuar edhe pretendimet nga zyrtarë të tjerë serbë, konkretisht ministri i Brednshëm, i cili raportimet e fundit për bomba të vendosura i interpretoi si një lloj lufte speciale dhe hibride kundër Serbisë.
“Frikësimi i qytetarëve ka shumë vite që zë një vend të lartë në agjendën politike në Serbi dhe në vazhdimësi dhe duket sikur shfrytëzohet çdo mundësi e mundshme për të. Ka shembuj të panumërt. Le të kujtojmë deklaratat e mëparshme të Vuçiçit, të dhjetë viteve më parë, se si Serbia u godit nga një përmbytje e përmasave biblike dhe trupat e pajetë që notonin në Obrenovc, dhe ato në fillim të pandemisë se varrezat do të jenë shumë të vogla dhe se skenari italian.
Të kujtojmë edhe deklaratat e fundit se po vjen një kataklizëm, se një situatë kaq e vështirë nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se do të përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Fakti që njerëzit e frikësuar sundohen më lehtë, kjo është e njohur dhe është përdorur nga sundimtarët gjatë të gjithë historisë njerëzore.
Një njeri i frikësuar “nuk është plotësisht vetvetja”, veçanërisht kur kjo frikë është kronike dhe kur është frika nga një rrezik ndaj të cilit vetë individi është i pafuqishëm. Frika pasivizon dhe paralizon njerëzit, largon vëmendjen e tyre nga problemet e tjera, mbulon ndjenjat e tjera (padrejtësi, zemërim, etj.) – të gjitha këto mund të jenë pasoja.
Një person i frikësuar mendon më pak, është më i përkulshëm, përshtatet më lehtë, është gati të pranojë çdo gjë, të heqë dorë nga liria dhe parimet morale, nëse kjo mund ta çlirojë atë nga rreziku’, u shpreh ai.
Pedagogu i psikologjisë, ka shpjeguar gjithashtu edhe deklaratat kontradiktore të dhëna në media.
“Politika e menaxhimit të frikës kërkon edhe dozën e saj, që frika të mos kthehet në panik. Paniku i bën njerëzit të paarsyeshëm dhe të paparashikueshëm dhe të vështirë për t’u menaxhuar. Meqenëse frikësimi është zakonisht aq i vrazhdë sa të shkaktojë panik, zakonisht pasohet nga sigurime po aq të pakuptimta dhe të ekzagjeruara se gjithçka është në rregull.
Kur njerëzit mërziteshin nga aludimet e mungesës së ushqimit, ata qetësoheshin nga fotot e ushqimeve në magazinat e dyqanit. Dhe në përgjithësi, kur mesazhet nuk i shërbejnë informacionit të vërtetë, por motiveve politike ditore, është e natyrshme që ato të jenë të ndryshueshme, madje edhe kontradiktore.
Trajtimi me sukses i situatave të krizës ndërtohet shumë përpara vetë krizës. Para së gjithash, me organizim dhe kompetencë të dëshmuar të institucioneve, në mënyrë që publiku të ketë besim në aftësinë e atyre që zgjidhin krizën. Publiku duhet të marrë informacion në kohë dhe të saktë, por duhet të besojë se informacioni është me të vërtetë i saktë.”, ka shpjeguar ai.
Popadiç ka shpjeguar për Danas se shpesh publiku bombardohet me informacione për rreziqet natyrore si përmbytjet dhe pandemitë. Por se sipas tij përdoret edhe teoria e “armiqve të jashtëm dhe të brendshëm” që kultivohet vazhdimisht.
“Kjo formë e manipulimit politik ka ekzistuar që nga fillimi. Armiqtë shërbejnë për të vendosur përgjegjësinë mbi ta për të gjitha dështimet e mundshme dhe për paaftësinë e tyre dhe për të homogjenizuar grupin e tyre. Dhe ky përdorim i frikës është i njohur në vendin tonë në nivel të përditshëm. Kushdo që beson në politikanë dhe tabloidë duhet të besojë gjithashtu se ne jemi një vend i rrethuar nga armiq të shumtë, shumë na urrejnë dhe punojnë kundër nesh, dhe ata nga të cilët nuk e presim këtë, kështu që Novak Gjokoviç u burgos në Austri sepse ai është serb.
Dhe përsëri në atë kontekst shfaqet figura e Shpëtimtarit, ai që na mbron nga të gjithë ata armiq pavarësisht se e ekspozon veten në rrezik. Ai është mbrojtja jonë e vetme nga armiku, nga ata të fshehur që planifikojnë të vrasin presidentin, tek ata që tashmë kanë hyrë dhe punojnë kundër nesh dhe kundër liderit, si opozita, manjatët, mercenarët e huaj”, shpjegoi profesori.