Partia e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” e udhëhequr nga Giorgia Meloni, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura këtë të diel në Itali, sipas raportimeve të para nga exit-poll.
Sipas Rai-t, Radio Televizioni Italian, koalicioni i krahut të djathtë ka fituar diku mes 41 e 45 për qind të votës së përgjithshme dhe aleanca e majtë mes 25 dhe 29 për qind.
Ky rezultat i jep koalicionit të djathtë, shumicën në të dy dhomat e parlamentit.
Nëse rezultatet dalin të jenë kështu siç paraqiten në exit-poll, atëherë koalicioni i djathtë fiton diku në mes të 227 deri në 257 ulëse në Dhomën e Deputetëve dhe mes 111 dhe 131 ulëse në Senat, apo Dhomën e Lartë.
Gjithsesi, numrat ende nuk janë zyrtar, por ata tregojnë për një fitore të aleancës së djathtë formuar nga partia e së djathtës ekstreme “Vëllezërit e Italisë”, partia e krahut të djathtë, “Forza Italia” dhe partia tjetër e ekstremit të djathtë “Lega”.
Po ndodhi kështu, Meloni do të jetë kryeministre e ardhshme e Italisë: gruaja e parë në këtë pozitë në Itali dhe qeveria më në krahun e djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shënim: Exit poll-ët në Itali historikisht kanë pasur probleme dhe nganjëherë kanë dalë edhe gabim. Prandaj, për një rezultat preliminar është mirë të priten projeksionet pasi numërohet një pjesë e votave.