Nata e 24 prillit të vitit të kaluar ishte tragjike për familjen Hoxha nga Malisheva. Me motiv hakmarrjen, vëllezërit Hoxha u përballën me familjen Gashi dhe për pasojë 23-vjeçari, Fazli Hoxha u privua nga jeta me armë zjarri. Vrasja ndodhi në parkingun e restorantit “Villa Park” në Volljakë të Klinës, ku paraprakisht vëllezërit Hoxha u sulmuan me mjete të forta nga anëtarët e familjes Gashi. Ndaj tyre, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë nën dyshimet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Motiv dyshohet të ketë qenë hakmarrja për një rast të para disa viteve që kishte ndodhur në Itali, për një borxh prej 300 euro.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën prej 47 faqesh, të ngritur nga Prokurori i Shtetit në Prokiurorinë Themelore në Pejë, ku janë arsyetuar dhe përshkruar veprimet e të akuzuarve.
Ekzekutimi i Fazli Hoxhës ndodhi si në filma nga anëtarët e familjes Gashi, që kishin qëllim vrasjen e dy vëllezërve të 23-vjeçarit. Me përcjellje, vëzhgim, e plan të detajuar për t’u hakmarrë, të armatosur e pajisur me mejte të forta ata ia zunë pritën familjes Hoxha. Me qëllim vrasjen e dy vëllezërve të Fazliut.
Motivi i vrasjës ishte hakmarrja e paskrupullt për rrahjen e vëllait të të akuzuarve nga tre vëllezër të viktimës Fazli Hoxha, për një borxh prej 300 eurosh në Brescia të Italisë.
Të akuzuarit, Nderim, Ardit, Agron, Bahri dhe Basri ranë në gjurmët dhe vendndodhjen e familjes Hoxha, pasi e përcollën vëllain e Fazliut, Mahmutin, duke i shkuar nga pas prej punishtes “Buka prej guri” deri të restoranti “Villa Park”.
“Të pandehurit Nderim, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi përderisa ishin në një vendpunishte, atypari kalon i dëmtuari Mahmut me veturën e tij të llojit “Porche”, më të vërejtur këtë të fundit, të pandehurit Nderim, Bahri dhe Ardit, me veturën pick-up, përcjellin dhe lokalizojnë vendndodhjen e të dëmtuarit rreth orës 20:14 parkojnë veturën në parking përballë hyrjes kryesore të restorantit dhe me gatishmëri për t’u larguar, këtë informacion e bartin tek i pandehuri Agron, i cili komunikon me të pandehurin Basri dhe të njëjtit rreth orës 20:21 u bashkëngjiten të tjerëve në parkingun e restorantit, më pastaj i pandehuri Basri hyn në restorant nga hyrja kryesore, shikon se ku janë ulur familja Hoxha, kthehet tek vetura ku ishin edhe të pandehurit tjerë, pastaj vazhdon për tek hyrja anësore, ulet në pjesën e tarracës dhe gjatë gjithë kohës monitoron situatën, duke përcjellë vazhdimisht vendndodhjen dhe lëvizjet e viktimës dhe të dëmtuarve në brendi të restorantit dhe jashtë”, thuhet në aktakuzë.
Posa familja Hoxha përfundoi iftarin, vendosën të largohen, por njëri prej tyre nuk u kthye i gjallë në shtëpi. Tre vëllezërit Hoxha u përballën me vëllezërit Gashi në parkingun e restorantit.
Në momentin që vëllai i Fazliut, Mahmuti doli nga restoranti, fillimisht iu shkon i dyshuari Arditi me shkop në dorë dhe vrapon në drejtim të tij, e më pas shkon edhe i dyshuari Nderim po ashtu me mjet të fort. Në përleshje u përfshinë edhe të akuzuarit Agroni dhe Bahriu, që goditën viktimat me lopata.
Për t’i dalë në ndihmë vëllait, kanë ndërhyrë i ndjeri Fazliu dhe vëllai i tij, Alberti, i cili sipas Prokurorisë ishte objekt i goditjeve të pandërprera me mjete të forta, grushte e shqelma. Për të ndërhyrë sërish, shkon Mahmuti, i cili tenton t’i zmbraps të dyshuarin në sulmin ndaj vëllait, duke marrë një mjet të fort të cilin e hedh në drejtim të të dyshuarit Bahri.
Por aty i dyshuari tjetër Nderimi merr armën dhe e godet Mahmutin një herë por nuk e qëllon, e më pas në vazhdimësi merr shenjë në të dyshuarit Alberin, derisa ishte duke u përleshur me të dyshuarit e tjerë, por as atë s’mund ta qëllojë. Por posa ndërhyn Fazliu, tashmë i ndjerë, i dyshuari Nderimi e godet në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pasi Fazliu bie në tokë pa shenja jete, goditet sërish me lopatë nga i dyshuari Bahri.
I riu Fazli Hoxha u godit nga një predhë në kokë, në syrin e majtë, “duke tejshkuar kokën dhe duke përfunduar pas veshit të djathtë, i cili rrëzohet pa shenja jete”.
“Aty ndërhyn viktima Fazli, mirëpo që në përleshje e sipër bashkëngjiten edhe të pandehurit Agron dhe Bahri, ku ky i fundit kishte mjet të fortë në dorë (lopatë), në ato momente ndërhyn edhe i dëmtuari Albert, të cilin e shtrijnë përtokë dhe i cili bëhet objekt i goditjeve të pandërprera me mjete të forta dhe grushte e shqelma nga të pandehurit Nderim, Agron dhe Bahri, veprime këto që vërehen nga i dëmtuari Mahmut, i cili me vrap afrohet për të zmbraps sulmin ndaj të vëllait duke marrë një mjet të fortë të cilin e kap me të dy duart dhe e hedh në drejtim të të pandehurit Bahri, por që më të arritur, i pandehuri Nderim nxjerr armën/pistoletën e llojit TT, merr shenjë në të dhe e godet me një predhë në këmbën e majtë poshtë gjurit, i njëjti largohet për në brendi të restorantit, me ç’rast i pandehuri Nderim shtie edhe njëherë në drejtim të tij por që nuk e qëllon, më pastaj vazhdimisht merr në shenjë të dëmtuarin Albert përderisa ishte i shtrirë në tokë dhe duke u përleshur me të pandehurit Agron dhe Bahri, mirëpo që nuk ka mund ta qëllojë, e që më pas ndërhyn edhe viktima Fazli i cili humb jetën siç edhe është përshkruar në dispozitivin I. Po në këto momente, i pandehuri Nderim shtie edhe njëherë duke rrezikuar edhe vëllezërit e tij dhe të tjerët përreth, pastaj sulmi vazhdon prapë ndaj të dëmtuarit Albert, ku vazhdimisht goditet me lopatë disa herë nga i pandehuri Bahri e pastaj nga i pandehuri Agron, e që ky i fundit deri në ato momente po e godiste me grushta e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit..”.
Para gjithë këtij krimi, i akuzuari Basri dyshohet se vetëm ka vëzhguar dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar këtë ngjarje tragjike. Për të mos mbaruar me kaq, ai nuk e ka lejuar as menaxherin e restorantit të ndërhyjë.
I akuzuari tjetër Ylli Gashi bashkë me Nderim Gashin akuzohen veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar të armëve”, teksa Ylli akuzohet edhe për veprën penale ndihma në kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje e rëndë në tentativë
Natën tragjike katër të akuzuarit, u arrestuan dhe u ndaluan, teksa nga muaji prill ndodhen nën masën paraburgimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.