Elon Musk me vizitë të papritur në Twitter

Shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka vizituar zyrat e rrjetit sociale, Twitter, pak para fundit të afatit në të cilën ai duhet të mbyllë marrëveshjen për ta blerë kompaninë. E ka bërë vizitën në një mënyrë interesante. Në Twitter ka postuar një video në të cilën shihet me një lavaman duke hyrë në zyrat e kompanisë në San Francisco.

Një gjykatë i ka dhënë Muskut afat deri të premten që ta përfundojë marrëveshjen për ta blerë kompaninë, që do t’i jepte fund “turbullirave” pasi miliarderi u pajtua ta blinte rrjetin social, e më pas u tërhoq.

Pavarësisht hyrjes së befasishme të Muskut në zyrat e kompanisë, s’ishte e qartë nëse blerja është finalizuar. Twitteri ka konfirmuar për “Associated Press” se videoja e Muskut ishte reale, por ka refuzuar ta komentojë.

Afrimi i Muskut me Twitterin nisi në muajin mars. Më pas, më 4 prill u njoftua se ai u bë aksionari më i madh i kompanisë, pasi bleu 9 për qind të aksioneve për 3 miliardë dollarë. Fillimisht, Twitteri ia ofroi një ulëse në bord, por gjashtë ditë më vonë shefi ekzekutiv, Parag Agrawal, njoftoi se Musku s’do t’i bashkohet bordit. Oferta për blerjen e kompanisë pasoi menjëherë. Ajo u prit me befasi, ndërsa në korrik, Musk u shpreh se po tërhiqet nga oferta. Dy javë para se të niste një proces gjyqësor për tërheqjen e Muskut, ai ndryshoi sërish mendje duke thënë se do ta kompletojë marrëveshjen.