Richard Grenell, emisar i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ka arritur mbrëmjen e sotme në një nga restorantet e Prishtinë, ku po e priste presidenti Hashim Thaci për më shumë se një orë.
Grenell u ka thënë gazetarëve se nuk ka ardhur për të ndërhyrë në formimin e Qeverisë, por që misioni i tij është të përcjell politikat e Trumpit në zhvillimin ekonomik, edhe në Kosovë e Serbi.
Grenell tha se të rinjtë e Kosovës duan vende të reja të punës, dhe aty duhet të ketë fokus.
“Duam të zhvillojmë ekonomikisht këtë rajon. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është politika e presidentit Trump. Ekonomia në SHBA po eksplodon, sepse kemi thënë se njerëzit duhet ta marrin pushtetin”, ka thënë Grenell.
Ai thotë se SHBA’ja po përkujdesët që këtë t’ua thotë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se duhet të zgjidhen përfundimisht problemet politike.
“Presidenti Trump ka qenë i përqendruar në këtë, duke thënë: ‘kur keni ekonomi të fuqishme, kur keni njerëz që marrin pjesë në ekonomi me mënyra të reja, me biznese të reja, çështjet politike bien, sepse atëherë njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme. Për këtë jam këtu dhe s’dua të kyçem në debatin politik, sepse kjo po na lë prapa. Dua të shikoj problemet që i kemi, e më pas t’i çojmë Kosovën dhe Serbinë përpara”, tha Grenell.