Refugjatët kanë zbuluar udhëtimet e tyre të tmerrshme në Britani të Madhe dhe terrorin që ata ndjenin, derisa ishin të “paketuar” në “arkivol metalik”.
Sipas DailyMail, përcjell Telegrafi, ka qenë Ahmad Al-Rashid ai që ka treguar për udhëtimin e tij të keq pas zbulimit të djeshëm, ku në një kamion në një zonë industriale në Essex u gjetën 39 të vdekur në një kamion.
Siç ka rrëfyer Al-Rashid, ai udhëtoi për 55 ditë ndërsa iku nga Aleppo për në Londër në vitin 2015 dhe thotë se ‘era e vdekjes’ është ‘e pamundur të harrohet’.
Duke e treguar përvojën e tij në Twitter, ai shkroi: “Unë isha në pjesën e prapme të kamionit frigorifer në vitin 2015, në të cilin kishte mish pule të ngrirë dhe mish”.
“Në një nga incidentet që më mbajtën atje për dy orë, filloi të bënte ftohtë… njerëzit filluan të kolliten… kështu që filluam të trokasim – dhe trokisnim dhe trokisnim”.
“Ju jeni në mëshirën e kontrabandistëve që të vijnë dhe t’ju nxjerrin, sepse gjithçka është e mbyllur nga jashtë. Ulërimat e atyre njerëzve ende më ndjekin”.
“Unë kurrë nuk mund të harroj sytë e atyre që ishin me mua në atë kontejnerë pa ajër, pa dritë, pa asgjë përveç erës së vdekjes. Është e pamundur ta harroni. Unë mund t’i dëgjoja duke bërtitur deri në vdekje, sepse isha atje”.
“Unë mund t’i ndiej ata duke u përpëlitur në jetë, por më kot. Unë vetëm kuptova se sa me fat jam që jam gjallë”.
I diplomuari i letërsisë angleze tha se zbulimi i zymtë i djeshëm ishte një ‘incident tragjik’ pasi doli se njerëzit brenda kamionit ngrinë deri në vdekje.
Tifozi i Arsenalit, Al-Rashid tha që njerëzit brenda sigurisht ishin larguar nga shtëpitë e tyre duke mos pasur mundësi tjetër, përcjell Telegrafi.
“Ju nuk do ta bëni këtë derisa nuk keni mundësi tjetër”, tha ai. “Kur u largova nga Siria ishte një situatë e tmerrshme … ju kërkoni vend për siguri ku fëmijët tuaj mund të rriten dhe ku do të ketë një të ardhme për ta”.
Edhe një refugjat tjetër që iku nga Talibanët, Sabir Zazai, i cili tani është shefi ekzekutiv i Këshillit Skocez të Refugjatëve, ka treguar përvojat në një kamion me migrantë të tjerë.
“Kujtimi im kryesor për atë udhëtim është terrori që ndjeva. Çdo moment ndjeja sikur jeta ime po mbaronte”.
Ndryshe një ngjarje e rëndë e ndodhur ditën e mërkurë ka tronditur jo vetëm Britaninë e Madhe.
Kjo pasi që në një kamion janë gjetur 39 persona të vdekur, të cilët, sipas raportimeve të fundit ishin shtesës kinezë.
Viktimat, të cilat përfshinin burra, gra dhe një adoleshent, u zbuluan në Parkun Industrial Waterglade në Grays në orët e para të mëngjesit ditën e mërkurë.