Ëndrra fashiste serbe: “Këtë vit në Kiev, vitin tjetër në Prizren”

Kryetari i Lëvizjes Serbe për Rindërtim, Vuk Drashkoviç, publikoi në gazetën SDanas pikëpamjen e tij për Rusofilinë në mesin e serbëve, shkaqet e saj, dhe të gjitha i lidhi me “luftën për vatrat e përjetshme”, sloganin me të cilin janë kryer krimet më të mëdha në Ballkan që pas Luftës së Dytë Botërore.

“Më 9 mars 1991, Jugosllavia u trondit deri në themel dhe të shtënat në Kroaci paralajmëruan tragjedinë e të gjithëve në vendin e madh nga Alpet pothuajse deri në Selanik.

Ku jemi sot, 32 vjet më vonë?

Sllovenia dhe Kroacia janë anëtarë të BE-së dhe aleancës së NATO-s. Mali i Zi dhe Maqedonia janë gjithashtu në aleancën e NATO-s dhe BE-ja është gjithashtu një synim strategjik për ta. Gjysma e Bosnjës dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO, dhe gjysma tjetër (Republika Srpska) nuk do”, shkruan ai.

Kolapsi qytetërues

“Dhe ku është Serbia, shteti më i madh në ish-federatën jugosllave?

Serbia ende nuk e di se ku janë kufijtë e saj kombëtarë. Pasionet anti-NATO, anti-amerikane dhe anti-perëndimore të shumicës dërrmuese të qytetarëve të saj janë ndoshta edhe më të mëdha se në Korenë e Veriut apo Iran. Mbështetja për krimin kundër Ukrainës është më e vogël në Rusi sesa në Serbi.

Kur dhe si filloi rënia historike dhe qytetëruese e kombit fitimtar, i cili ishte krijuesi kryesor i Jugosllavisë në vitin 1918 dhe i preferuari i botës demokratike?

Rebelimi i 9 marsit në 1991 zbuloi autorët e tragjedisë. Më 9 mars 1991, Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe, në atë kohë partia kryesore opozitare, bëri thirrje për demonstrata ndaj TV Beogradit, helmi kryesor i propagandës së popullit serb, një fabrikë e histerisë luftënxitëse, urrejtjes dhe të pavërtetave për ngjarjet në vend.

Dhe e përjavshmja Srpska goditi zemrën e regjimit të Slobodan Millosheviçit. Në shkrimin ‘Çfarë duan gjeneralët”, u zbulua se, në marrëveshje të fshehtë me marshalët dhe gjeneralët e KGB-së dhe të Ushtrisë Sovjetike, të cilët po përgatitnin grushtin e shtetit kundër Mikhail Gorbaçovit, Glasnostit dhe Perestrojkës së tij, gjeneralët e JNA-as dhe UDB-ss, nga magazinat ushtarake në Rusi dhe Ukrainë, armatosën formacionet paraushtarake të Tuxhmanit dhe në të njëjtën kohë u shpërndanë armë serbëve në Kroaci nga magazinat e tyre.

Ata inskenuan luftën, që kur stalinistët të rifitonin pushtetin në Moskë, t’i bënin thirrje Ushtrisë së Kuqe që t’i jepte fund asaj lufte dhe të rivendoste rendin siç ishte para 1948-ës, para prishjes së vëllazërisë me Stalinin!

Gruaja e Millosheviçit ishte ideologja kryesore e këtij komploti të përgjakshëm”, shkruan ndër të tjera Drashkoviç, duke analizuar më detajisht ngjarjet e asaj kohe në ish-Jugosllavi.

Më pas ai kalon te Kosova, ku shkruan:

“E grisën edhe planin e Rambujesë, sipas të cilit Kosova fitoi statusin e autonomisë thelbësore për shumicën shqiptare, por brenda kufijve të shtetit të Serbisë. Zgjodhën luftën me aleancën e NATO-s, nënshkruan kapitullimin dhe dëbimin e shtetit të Serbisë nga Kosova…”

Magjepsje me Rusinë

“Në vitet e para të këtij shekulli, as Rusia e Vladimir Putinit, pasardhësi i Jelcinit, nuk konsiderohej mik. Ata anatemuan partneritetin e Rusisë me Evropën dhe Amerikën. Vladimir Putin u prit në Beograd me lot gëzimi kur u kthye kundër Perëndimit, kur ish-njeriu i KGB-së në Kremlin shpalli restaurimin e Perandorisë Sovjetike, kur filluan t’i ngrinin monumente Stalinit, kur KGB filloi të mbushte birucat me ‘tradhtarë’, duke vrarë liderët e opozitës dhe rebelët properëndimorë, dhe priftërinjtë e kishës ruse bekuan raketën e Satanait, që synonte Uashingtonin…

Tragjedia e Serbisë dhe e popullit serb është shkaktuar nga magjepsja me Rusinë si kamp, ​​Rusinë si burg, Rusinë si pushtues dhe grabitës, Rusinë si renegat nga Evropa, nga vetvetja. Serbia ka më shumë se tre dekada e burgosur dhe besimtare, vetëm të asaj Rusie.

Putinofilia histerike në Serbinë e sotme dhe Rusia e restalinizuar dhe agresive sot janë binjakë siamezë.

Nga Moska po kërkojnë nga Serbia që të refuzojë planin evropiano-amerikan për Kosovën dhe të presë humbjen, vdekjen e Ukrainës.

Këtë vit në Kiev, vitin tjetër në Prizren!

Ky plan i përgjakshëm u zbulua në Beograd.

Nuk ka protesta apo shpërthime zemërimi si ajo e 9 marsit 1991. Serbia e arsyes është në gjumë. Si ta zgjoni atë? Dhe a do të zgjohet?”, përfundon qasjen e tij Vuk Drashkoviç në një artikull të botuar në Danas.