Kompania “SOWI Kosovo” në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë nënshkruar marrëveshjeve për projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në fshatin Selac të Bajgores, me kapacitet prej 105 megavatesh.
Përfaqësuesi i kompanisë, Sowi Kosovo, Felix Cornelius, ka rrëfyer përvojën e kompanisë dhe si ka filluar projekti.
Cornelius njoftoi se pjesë e këtij bashkëpunimi u bënë 7 vende të ndryshme të botës, të cilët gjetën mënyrën për ta bërë projektin të suksesshëm.
“Miqësia, besimi, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ndërmarrësia janë pjesë esenciale për mua. Në shpirtin e ndërmarrësisë së pari u miqësova, ishim nismëtarët kryesor dhe gjerat shkuan me sukses. Gjetëm mënyrën për suksesin e këtij projekti. Tani në këtë projekt janë pjesë vendet e ndryshme si Kosova, Gjermania, Austria, Sllovenia, Izraeli, SHBA në bashkëpunim ndërkombëtar”, tha ai.
Kryesuesi i bordit nga Izraeli, Johir Surusi, tha se projekti me 27 turbina të erës në Kosovë do të jetë projekti më i madh në Kosovë.
“Në botën e sotme e cila është e përçarë dhe nuk është e thjeshtë, ne sot po festojmë bashkëpunimin ndërkombëtar. Secila palë këtu ka kontribuuar në mënyrën e vet për të ndihmuar këtë projekt që të bëhet realitet. Projekti i 27 turbinave të erës me kapacitet të instaluar në Kosovës do të paraqes projektin më të madh në vend”, u shpreh ai.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se ky është lloji i parë i investimit strategjik në Kosovë. Siç tha ai, ky projekt është sinjali më me vend që mund të dëshmojë se gjërat funksionojnë në Kosovë.
“Ky është sinjali më me vend në kohën e duhur dhe të dëshmohet se gjërat mund të funksionojnë dhe të bëhen në Kosovë. Kemi të bëjmë me një përpjekje familjare. Me këtë të arritur duhet të theksohet se kemi të bëjmë me investimin e parë sipas legjislacionit të ri. Nënkupton investim strategjik të llojit të parë në Kosovë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gjermaninë, por edhe vendeve të tjera”, ka thënë ai duke shtuar se shpreson që qeveria e re të mbështet projekte të tilla”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ambasadorja e Izraelit, Alona Fisher Kamm, njoftoi se ky është projekti i parë i Izraelit në Kosovë.
Fisher Kamm uroi që viti 2020 të jetë vit i partneriteti dhe afarizmit, përfshirë energjinë dhe erën.
“Ky është projekti më i rëndësishëm i Izraelit në Kosovë. Ky do të sjell dobi dhe benefite për energjinë. Kemi një vetëdije të rritur për rëndësinë në kalimin e energjisë së ripërtërishme. Zvogëlimi i varësisë nga lëndët djegëse të importuara është e rëndësishme për ne. Vendet kanë filluar të marrin hapa sa i përket transportimit të gazit në natyrë. Ne dëshirojmë afarizëm të suksesshëm dhe uroj një vit të ri të partneritetit dhe të besimit si dhe një vit të gjelbër plotë me energji dhe erë”, u shpreh ajo.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se projekti 170 milionësh po vjen në Kosovë.
“Ndihem krenar që jam sot këtu dhe që po vjen diçka e mirë në Kosovë. Projekti 170 milionësh po vjen në Kosovë. Do të jem aty në çdo vend dhe mundësi për investime sepse janë të rëndësishme. Kosova dëshiron të thërret sa më shumë investitorë. Por të investojnë në projekte që mbrojnë ambientin, kjo është krenari”, tha ai.
Ilir Shala drejtori i KOSTT-it, theksoi se KOSTT ka qëndrueshmëri financiare dhe se ndërtimi i këtij investimi do të bëjë që Kosova të jetë sa me afër BE-së.
“Me ndërtimin e këtyre kapaciteteve të reja është më afër BE-së dhe i siguron furnizim më të mirë konsumatorëve. Infrastruktura e transmisionit është e gatshme të akomodoj Selacin me energji të erës. Kjo do të ketë përparësinë e burimeve të ripërtërishme. KOSTT-i ka qëndrueshmëri financiare. Në përmbushjen e të gjitha palëve të interesit do të arrijmë të kemi këtë qëndrueshmëri”, tha Shala.