Erdhi nga Anglia për fejesën e vëllait, shuhet nën rrënoja së bashku me prindërit…Dhëndrri i shpëton tërmetit

Familja Çupi më 26 nëntor do të ndërronte unazat. Djali i tyre, Aleks Çupi do të fejohej. Por tërmeti që shkundi Shqipërinë hapi mortin në këtë familje.

Burrë e grua, Hajredin dhe Lutfie Çupi ndërruan jetë së bashku me djalin e tyre që kishte ardhur nga Anglia për fejesën e djalit, Klement Çupi.

Ai kishte 10 vite që jetonte në Angli bashkë me bashkëshorten e tij. Ajo e priste në Angli t’i sillte lajme të mira nga fejesa, por mori lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta të njeriut të saj të zemrës. Klement Çupi dha fillimisht shenja jete, madje kërkoi edhe ujë teksa ndodhej nën rrënoja në banesën e prindërve në Thumanë, ndërsa u nxor i pajetë pas rreth 17 orë kërkimesh.

Kësaj tragjedie i shpëtoi Aleks Çupi i cili kishte ardhur nga Greqia për tu fejuar. Ka marrë dëmtime por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.