Presidenti Erdogan ka forcuar në dekadën që po e lëmë pas pushtetin e tij. Por fundi i dekadës dhe viti 2019 sollën ndryshime serioze, mendon Daniel Derya Bellut.
Kur erdhi në pushtet në vitin 2003, Erdogani konsiderohej si një politikan reformator, i cili donte ta fuste Turqinë në Evropë. Por kritikët e tij edhe asokohe paralajmëronin “për ujkun në kopenë e deleve”. Ai është futur në “trenin e demokracisë” vetëm për t’u larguar në momentin e duhur.
U dëshmua se kritikët kishin të drejtë: Erdogani u largua nga ky tren – menjëherë pas largimit nga pushteti të rivalëve sekularë nga ushtria dhe drejtësia. Më pas ndoqi një rrugë krejt tjetër – në drejtim të sulltanatit. Filloi rrugëtimin në të kaluarën osmane.
Erdogan kthen kohën mbrapsht
Në vitet në vijim nuk mund ta ndalte askush – në mënyrë sovrane ai largonte nga rruga të gjitha pengesat. Protestat në Parkun Gezi, një skandal korruptiv dhe një përpjekje puçi, Erdogan i mbijetoi pa mundime të mëdha. Në qershor të vitit 2018 ai e futi edhe sistemin presidencial në vend, i cili e forcoi pushtetin e tij. Kritikët flasin për “regjim të një njeriu”. Sot sulltani jeton në një pallat me 1000 dhoma në Ankara. Ëndrra e tij është që në vitin 2023, në 100 – vjetorin e themelimit të Turqisë moderne, të nisë një epokë të re turke. Por pak para arritjes së këtij qëllimi, froni i tij ka nisur të lëkundet. Viti 2019 solli ndryshime – ëndrra e tij mund të dështojë.
Kriza ekonomike dhe fillimi i fundit
Pushteti i Erdogant ka nisur të lëkundet në verën e vitit 2018, kur filloi edhe kriza ekonomike. Për të ruajtur ekonominë e kontrolluar nga një kastë politike, ai investonte njëanshëm në ndërtimtari. Ndaj ekonomia turke është pak produktive dhe është futur në një krizë me turbulenca të mëdha monetare. Papunësia – në veçanti e të rinjve – ka arritur rekorde. Ndërkohë që çmimet e ushqimit, në radhë të parë frutave dhe perimeve, janë ngritur tepër.
Në zgjedhjet komunale në mars të këtij viti Erdogani pagoi faturat e para: Ai e humbi pushtetin në metropolet e mëdha. Në veçanti e dhimbshme ishte humbja në Stamboll – qendrën më të madhe ekonomike të Turqisë.
“Ai që humb Stambollin, e ka humbur Turqinë”
Erdogani nuk deshi ta dorëzonte pushtetin në asnjë mënyrë. Ai vuri nën presion komisionin zgjedhor dhe e detyroi t’i përsëritë zgjedhjet. Pa sukses. Një yll tjetër politik doli papritur në skenë – Ekrem Imamoglu.
Socialdemokrati nuk u shqetësua shumë nga përsëritja e zgjedhjeve, ndërsa ndaj urrejtjes së partisë AKP në pushtet iu përgjigj me dashamirësi. Imamoglu fitoi bindshëm edhe zgjedhjet e përsëritura ndaj kandidatit të Erdoganit, Binali Yildirim. Por as kjo nuk ishte goditja e fundit kundër Erdoganit: Imamoglu gëzon mbështetje të madhe. Mendohet se ai mund të fitojë madje edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Presionet nga jashtë dhe brenda
Humbjet e Erdoganit janë pasojë e strategjisë së tij përçarëse, e cila tani po i hakmerret. Parti të ndryshme opozitare – islamistët, nacionalistët, socialdemokratët dhe liberalët e majtë – krijuan një front të përbashkët kundër Erdoganit, përkundër diferencave të mëdha politike.
Pushteti i Erdoganit po lëkundet edhe brenda partisë së tij. Gati një milion anëtarë janë larguar ndërkohë nga partia e tij AKP. Miqtë e vjetër, si për shembull ish-kryeministri Ahmet Davutoglu, ish-ministri i Financave Ali Babacan apo ish-presidenti Abdullah Gül, kanë themeluar një parti të re. Ata mund të marrin vota shumë të rëndësishme nga zgjedhësit e Erdoganit dhe të dobësojnë krahun e tij konservator.
Erdogani e ka mbajtur pushtetin 16 vjet. Gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një lloj sulltani turk. Erdogani dukej si një monark i paprekshëm në fron. Por viti 2019 solli ndryshime të papritura, shumëçka është kthyer kundër sulltanit.
Në vitin 2023 Turqia feston 100 vjetorin e themelimit të shtetit modern – një ditë në të cilën kujtohet heqja e sulltanatit.
/DW/
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…
Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…